Vonesat në procesin e rindërtimit po i përballin shumë familje durrsake me vështirësi të reja për strehimin e tyre. Sezoni turistik ka rritur ndjeshëm kërkesën për banesa me qira. Rrjedhimisht edhe vlerën e tyre. Banorë të disa pallateve të dëmtuara rëndë nga tërmeti protestuan këtë të shtunë para bashkisë së Durrësit duke kërkuar një zgjidhje sa më të shpejtë për situatën e tyre.
”Ne kërkojmë shembjen dhe rindërtimin pa vonesë. Sa vite duhen?! Ne jemi me qira dhe na kanë njoftuar të dalim nga shtëpitë me qira se u duhen për plazh ato. Tani kërkojnë jo 200, po 400 mijë lekë po ku t’i gjejmë?! Jemi të detyruar t’i bëjmë peticion qeverisë. E bëmë të shtunën se këtu është pushim gjithmonë. Bashki Durrësi nuk ka.”
”Kryetarja e bashkisë, para zgjedhjeve, na tha që prishja ka rrezikshmëri të lartë për pallatet e tjera. Ne jemi me qira dhe kemi lidhur një kontratë për 200 mijë lekë sa marrim, por ata po i rrisin dhe po na nxjerrin jashtë në rrugë.”
180 familje të katër pallateve në lagjen 5 të Durrësit, të cilat do të shemben për t’u rindërtuar nga e para, janë bërë bashkë për të hartuar një peticion drejtuar kryeministrit Edi Rama, ministrit të rindërtimit dhe kryebashkiakes së Durrësit. Ata kërkojnë ndërhyrjen e qeverisë për të përshpejtuar procesin e rindërtimit dhe kthimin e tyre sa më të shpejtë në shtëpitë e tyre.
”Njerëzit nuk mund të kenë kontrata fikse për aq sa të mbarojë rindërtimi. Ngelëm me rroba në krahë dhe kjo nuk është jetesë. Ne duam shtëpitë tona.
‘Plaçkat u prishën, po të paktën të marrim shtëpinë. Është mundimi i të gjithë jetës sonë.”- tha banori
Në Durrës ka ende shumë apartamente dhe pallate të dëmtuara në pritje të rindërtimit.
Top Channel