“Kaluam vështirësi të paimagjinueshme”, Paloka çel mbledhjen e Këshillit Kombëtar të PD: I kthyem shpresën demokratëve

28/05/2022 11:24

200 anëtarët e zgjedhur i dhanë kuorumin mbledhjes së këshillit kombëtar të PD I cili sot pritet të zgjedhës anëtarët e kryesisë.

Mbledhja u cel nga kreu i Këshillit Kombëtar, Edi Paloka, i cili ndërsa uroi Sali Berishën për rikthimin në krye të PD tha se ky rrugëtim hasi në vështirësi të paimagjinueshme.

“Urime për zotin Berisha, i cili u rikthye në PD pas një periudhe të vërtetë intensive, duke nisur që nga foltorja e parë ku filloi kjo lëvizje që na silli sot këtu. Sot jemi në fazën përmbyllëse të një pune kolosale të energjive të çliruara nga PD, si radhë herë në këto vitet e fundit, mes vështirësive që s’i kishim imagjinuar dhe as nuk i prisnim. Por mesa duket që nga diçka e keqe të nisë dhe të dalë diçka e bukur dhe e mirë. Në fare pak muaj të gjithë bashkërisht, anëtarësia e Partisë Demokratike është angazhuar në disa aktivitete intensive.

Kemi zhvilluar jo vetëm dy kuvende, një prej të cilëve ai i 11 dhjetorit që është në historinë e PD tashmë, zhvilluam edhe Kuvendin e 30 prillit, por ndërkohë kemi pasur një referendum, edhe ai i pari jo vetëm në historinë e PD, por në përgjithësi të partive në Shqipëri, patëm një palë zgjedhje lokale që rezultuan do të thoja determinuese, jo vetëm për PD, dhe jetën tonë të brendshme, por iu tregua shqiptarëve se kjo parti edhe në këto kushte, jo vetëm mund të fitojë, por mund t’ju japë shpresë edhe atyre që i kishin humbur shpresat.

E kam fjalën për fitoren që ne arritëm në Shkodër, megjithëse ishim në ato kushte që i dimë të gjithë dhe jo vetëm këta miqtë tanë në thonjëza që vazhdojnë të bëjnë lojën e Ramës, por edhe faktorë të tjerë na u kundërvunë me shpresën se do të humbisnim. Fituam dhe i treguam kujtdo, demokratëve e shqiptarëve, se jemi nisur për një rrugë që e kishim harruar për fat të keq në 8 vite dhe që do të na çojë në fitore.

Unë kam besimin se ky Këshill Kombëtar do të fitojë dinjitetin që për fat të keq në 8 vite e humbi, do marrë rolin e tij si organi më i rëndësishëm siç është i parashikuar në statut dhe siç duhet të jetë midis dy kuvendeve, si vite e humbi, organizëm i rëndësishëm mes dy Kuvendeve, rol që për fat të keq e kishte humbur në 8 vitet që kaluan, mbase me qëllim u rritën numrat edhe të anëtarëve të Këshillit edhe të Kuvendit në një pikë të tillë që e bënte praktikisht të pambledhshëm Këshillin jo më të merrte vendime që nuk i mori kurrë. Besoj që bashkërisht të gjithë do ta çojmë Partinë Demokratike në atë pikë në fitore, sepse këtë presin demokratët nga ne, këtë pret e gjithë Shqipëria nga PD. Sot ka vetëm një pikë në rendin e ditës, zgjedhja e Kryesisë së re të PD. Më vjen njoftimi që jemi 200 anëtarë të Këshillit Kombëtar janë të pranishëm, kështu që dhe kuorumi është plotësuar. ” -u shpreh Paloka.

Top Channel