Berisha: Ky regjim është kalbësirë, dokumenta e akte zyrtare faktojnë se Rama drejton një organizatë të vërtetë kriminale

28/05/2022 11:47

Kryetari i partisë Demokratike Sali Berisha gjatë fjalës së tij ditën e sotme në mbledhjen e Këshillit Kombëtar, ka theksuar që qëllimi i ringritjes së PD-së është të rrëzojë ‘regjimin’ e Ramës të cilin ai e quan “kalbësirë”.

Ai tha se zotëron fakte të dokumentuara dhe zyrtare që Edi Rama ka lidhje me bandat e krimit në vend, si dhe nuk la pa përmendur se bashkëpunimi i Ramës dhe Vuçiç ka në fokus krimin.

“Shqiptarët po vidhen në mënyrën më monstruze. Nuk ka mision më të madh se sa të ngrihemi e ti shkurtojmë ditët kësaj qeveria. Ka para të pafundme krimi dhe nuk ndjek asnjë parim dhe princip. Ky regjim është kalbësirë, kalbësirë. Pse e rithemeluan anëtarët PD-në? Sepse e panë që Shqipëria humbi orientimin e saj Evropian dhe vokacionin, po shkelmohej, hapja e negociatave u shtrua në një horizont të pakapshëm. Këtu Rama, fajin e gjen tek Europa dhe përpiqet ta kërcënojë atë. Çdo organizim, çdo bashki e çdo shtet ka problemet e veta por nuk janë kurrë të tilla që të lënë tetë vite me zero progress. Ne na penguan para së gjithash lidhjet e Edi Ramës me krimin. Dumani i Elbasanit një serial killer që vriste në katër anët për llogari të bandave të qeverisë. Cili nuk i dinte lidhjet e Ramës me bandat e çdo qyteti. Cili nuk i dinte lidhjet patologjike të Taulant Ballës me Suel Çelën. Ujku i bardhë i Beogradit u bë personazh i qartë i krimit, tani del qartë që Rama me Vuçiç kanë lidhje kriminale me njëri tjetrin. Jo vetëm kaq por dokumenta e akte zyrtare faktojnë se Edi Rama drejton një organizatë të vërtetë kriminale. Ai thotë që unë nuk vjedh se nuk ulet dot për të futur duart në xhepa. Ai vjedh në çdo vendim. Lexoni aktet se si u ka dhënë ministrave statusin e investitorëve strategjikë. Lezoni akte të tjera se si shpërbënë parkun e Butrinit, vetëm për të shtruar 800 hektarë në resorte e vila të klientelës së tij. Ky mision është shkurtim i jetës së qeverisë së Ramës. Destinacioni ynë nuk është as Beogradi as Stambolli, është vetëm nji, Brukseli. Ky mision përmbushet kur të qëndrojmë besnikërisht në ADN-në shqiptare. Ata vjedhin natën dhe ditën thërrasin rroftë Amerika. Ky është qëndrimi më anti-amerikan që mund të mbahej, Amerika është dheu i vlerave të lirisë. Misioni ynë është të konsolidojmë këtë vend, asnjë komb nuk ka ecur para, asnjë komb nuk është zhvilluar nëse nuk ka pasur komb patriotik. Këto janë thirrjet për të gjithë ju në qoftë se nuk dua të jemi problem i saj përsëri. Së bashku do ia dalim të realizojmë misionin tonë për rrëzimin e regjimit më të keq e më anti-Shqiptar.

Top Channel