Aktivistët e kafshëve spërkaten me bajga gjatë protestës në konferencën e fermerëve (fotot)

28/05/2022 18:24

Policia britanike tha se prej mëngjesit po punon për mbylljen e një proteste të aktivistëve të “mbrojtjes së të drejtave të kafshëve” në një konferencë të industrisë së mishit.

Aktivistët e protestës ishin përballur me fermerët e zemëruar, teksa një prej tyre i kishte spërkatur me pompën e fertilizuesit të bajgave të lopës.

Incidenti ndodhi jashtë selisë së Ankandit të Fermerëve në Darlington ku një prej protestuesve përfundoi i dërguar në spital për trajtim.

Imazhet e eventit tregonin aktivistët e maskuar që ishin ngjitur në çatinë e godinës duke mbajtur pankarta dhe duke ndezur flakadanë ngjyrues.

Një zëdhënës i fermerëve tha se më pas aktivistët përfunduan të mbuluar në bajga pasi dikush kishte përdorur pompën e fertilizuesit ndaj tyre.

Një tjetër aktivist raportohej se ishte plagosur kur fermerët kishin avancuar drejt tyre me një traktor.

Grupi i “të drejtave të kafshëve” thonin se protesta e tyre ishte paqësore dhe tentonte të theksonte “vuajtjen e kafshëve dhe ndërgjegjësim ndaj mjedisit”.

Por më tej shtonte: “Na lëshuan bajga lope nga një fermer që përdori një makineri. Ishte një protestë paqësore por u mblodhën shumë fermerë të inatosur. Ata na i lyen robat me bajga, na shanin e bërtisnin, na grisën pankartat”.

Por përfaqësuesi i shoqatës së fermerëve Mark Dent, tha se protestuesit ishin “një burim intimidimi”.

“Ne respektojmë të drejtën e gjithkujt për të protestuar, por mënyra sesi ata e bëjnë nuk ndihmon kauzën e tyre. Ata nuk kanë respekt për pronën dhe të ardhurat e të tjerëve.

“Kur dikush humbet terrenin moral … është si të kërcesh poshtë e lart në një çati llamarine dhe ajo sa vjen e harkohet”.

“Ata kishin fytyrat e maskuara, kjo ishte sjellje intimiduese”.

FOTO GALERI
1/3
Aktivistët e protestës ishin përballur me fermerët e zemëruar, teksa një prej tyre i kishte spërkatur me pompën e fertilizuesit të bajgave

Top Channel