Vetëpunësimi shënoi rënie me 3.5% më 2021, po rritet përqendrimi i tregtisë dhe shërbimeve

27/05/2022 11:30

Numri total i të vetëpunësuarve (me pagë dhe pa pagë) shënoi ulje të ndjeshme pas krizës së Covid 19 përgjatë vitit 2021.

INSTAT raportoi se vitin e kaluar të vetepunësuarit ranë me rreth 14,500 persona ose me rreth 3.5 për qind në raport me vitin 2020 ku vendi u godit nga kriza jo e zakontë Covid-19.

Vetëpunësimi është mjaft i përhapur në vendin tonë, me një nga normat më të larta në Europë, por prej vitesh ka hyrë në një krizë prej ndryshimit të strukturës së ekonomisë ku shitja me pakicë dhe ofruesit e shërbimeve po përqendrohen në qendra tregtare, supermarkete dhe linja të specializuara që po konkurrojnë njësitë individuale të shitjes dhe shërbimeve në lagje.

Sipas të dhënave të INSTAT, në fund të vitit 2021 gati 32% e të punësuarve në vend ishin të vetëpunësuar.

Të dhënat e tjera të Eurostat bëjnë të ditur se Shqipëria ka përqindjen më të lartë të vetëpunësimit në Europë dhe mëse dyfish në krahasim me mesataren e bashkimit Europian prej 13.3% në fund të 2020-s.

Pjesa më e madhe e të vetëpunësuarve në vend janë me arsim të ulët. Sipas INSTAT, gati 41% e të punësuarve më arsim 8/9 vjeçar e fitojnë jetesën përmes vetëpunësimit.

Edhe ata me arsim të mesëm tentojnë që të hapin bizneset e tyre, me vetëpunësimin që zë 34% të kësaj kategorie.

Ndryshe është për personat që kanë arsim të lartë, që duket se e kanë më të lehtë që të gjejnë një punë në biznese që nuk i kanë hapur vetë. Vetëm 12% e të punësuarve me arsim të lartë janë të vetëpunësuar.

Meshkujt janë më të prirur të hapin sipërmarrje, me 38% të tyre që janë të vetëpunësuar, kundrejt 25% të femrave.

Sipas grup-moshave, përqindja më e lartë e vetëpunësimit rezulton tek personat që janë mbi 65 vjeç (60%) dhe më e ulëta për të rinjtë deri në 24 vjeç (20%)

Në katër vitet e fundit që kur nisi një proces i rreptë formalizmi mbi këtë kategori dhe përfshirja në skemën e TVSH-së për një pjesë të tyre mbijetesa është vështirësuar.

Vitet e fundit, numri i të vetë-punësuarve po bie me shpejtësi edhe si rrjedhojë e ndryshimit të strukturës së ekonomisë, ku shitjet e pakicës po shkojnë drejt njësive më të specializuara.

Vetëpunësimi dominohet nga sektori i tregtisë dhe shërbimeve, për vite me radhë ka qenë promotori i punësimit në vend, teksa ekonomia e centralizuar u shemb për t’u orientuar drejt tregut.

Por vitet e fundit, avancimi i supermarketeve dhe qendrave tregtare, bashkë me aksionet kundër informalitetit i kanë vënë në vështirësi të vetë-punësuarit që kishin si avantazh kryesor informalitetin.

Kështu nga viti 2015, që kur nisi një aksion kundër informalitetit, numri i të vetë-punësuarve u rrit, por më pas ata nuk mundën të mbijetonin, ndaj numri i këtyre po bie me shpejtësi.

Në rajon, pas Shqipërisë renditet Kosova, ku norma e vetëpunësimit ndaj totalit te të vetë-punësuarve, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës për vitin 2017, përllogaritet 23.5%.

Në vend të tretë, për normë të lartë vetëpunësimi, renditet Serbia, ku përqindja e të vetë-punësuarve llogaritet të jetë 21.4%, sipas Zyrës Statistikore të Republikës së Serbisë. Gjysma e të vetë-punësuarve në Serbi janë në sektorin e bujqësisë./ Monitor

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA