Kombëtarja Shqiptare ka nisur pasditen e sotme rrugëtimin për edicionin e tretë të Ligës së Kombeve, teksa plot 29 futbollistë janë vënë nën urdhrat e trajnerit Edi Reja në qendrën e grumbullimit të kuqezinjve, në Durrës.
Vetë trajneri publikoi listën me 26 të ftuarit paraditen e sotme dhe mbajti edhe një konferencë për shtyp, teksa me grupin nuk janë bashkuar ende të gjithë, por nën urdhrat e Rejës janë shtuar edhe disa futbollistë të Shqipërisë U21.
Mungon në grumbullim Armando Broja, i cili ka mbyllur sezonin në Premier League, por është prekur nga koronavirusi dhe do të fluturojë drejt Shqipërisë menjëherë pasi të ketë një tampon negativ.
Shpresat janë që sulmuesi i momentit te kuqezinjtë, t’i bashkohet skuadrës para ndeshjes me Islandën më 6 qershor, megjithatë nën urdhrat e trajnerit Reja janë edhe 5 sulmues të tjerë si Cikalleshi, Balaj, Vrioni, Seferi dhe Uzuni.
Mungesat që tërheqin vëmendjen janë ato të portierit Thomas Strakosha dhe sulmuesit Rey Manaj, për të cilët Reja zbuloi në konferencën për shtyp sqaroi se kanë kërkuar vetë që të mos jenë në grumbullim.
Portieri ka mbyllur bashkëpunimin me Lazion dhe është në diskutime me disa klube për të ardhmen e tij, ndaj ka kërkuar që të mos paraqitet në grumbullim, pasi nuk ka qetësinë e nevojshme, ndërsa Manaj ka kërkuar pushim për shkak të një dëmtimi të lehtë.
Po për shkak dëmtimesh mungojnë edhe dy mesfushorët, Keidi Bare e Qazim Laçi, megjithatë është rikthyer Amir Abrashi dhe janë konfirmuar emra si Asllani, Gjasula, Ramadani, Çekiçi e Roshi.
Shqipëria do të luajë ndeshjen e parë të Ligës së Kombeve në transfertë ndaj Islandës më 6 qershor dhe 4 ditë më vonë do të presë Izraelin në “Air Albania”. Po në impiantin e kryeqytetit, më 13 qershor kuqezinjtë do ta mbyllin me një miqësore ndaj Estonisë, për të nisur më pas pushimet verore./ SuperSport
Top Channel