Shqipëria pro zgjerimit të NATO-s/ Qeveria miraton protokollin e anëtarësimit të Suedisë dhe Finlandës

26/05/2022 15:16

Shqipëria, angazhimin politik për të mbështetur anëtarësimin e Suedisë dhe Finlandës në NATO, e avancon përmes një vendimi, marrë në mbledhjen e qeverisë këtë të Enjte.

“Miratuam në parim protokollet e aderimit në NATO për Finlandën dhe Suedinë. Pra, dhamë zyrtarisht dakordësinë tonë për zgjerimin e Aleancës dhe përfshirjen në të të këtyre dy vendeve”, tha ministrja e Jashtme Olta Xhaçka.

Shefja e diplomacisë shqiptare Olta Xhacka shpjegoi se çfarë ndodh më pas.

“Këto protokolle do të kalojnë më pas për ratifikim në Kuvend dhe kur kjo procedurë ratifikimi të jetë kryer në parlamentet e të 30 vendeve anëtare të NATO, por edhe nga parlamentet e vetë Finlandës dhe Suedisë, do të bëhet i mundur pranimi i tyre de jure në Traktatin e Atlantikut të Veriut. Hapi final, përpara se të dy vendet të bëhen zyrtarisht anëtare të NATO është depozitimi i instrumentit të anëtarësimit pranë Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në cilësinë e shtetit depozitues të këtij traktati”.

Ky vendim i qeverisë shqiptare vjen në një kohë kur anëtarësimi Suedisë dhe Finlandës në NATO rrezikohet nga një veto e Turqisë e cila thotë së këto dy vende të Evropës veriore janë kthyer në vendstrehim për mbështetës të Partisë së Punëtoreve të Kurdistanit PKK dhe kurdët e Sirisë.

Sakaq divergjencat e brendshme mes presidentit dhe kryeministrit kroat, kanë prodhuar edhe në Kroaci një ngërç në mos dhënien e dritës jeshile për momentin, të kërkesës të Finlandës dhe Suedisë për tu bërë pjesë e aleancës euro-atlantike.

 

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA