Roma mposhti holandezët e Feyenoord me rezultatin minimal 1-0 në “Air Albania” dhe u në klubi i parë që shkruan emrin në librin e artë të fituesve të Conference League, kompeticioni më i ri i UEFA-s.
Ky sukses ishte padyshim i rëndësishëm për Jose Mourinhon, i cili u bë i pari trajner që fiton të gjithë kompeticionet e UEFA-s, si Champions, Europa League dhe tani Conference League.
Megjithatë po kaq i rëndësishëm ishte edhe për verdhekuqtë, që trofeun e fundit e kanë fituar në sezonin 2007-2008, me Luciano Spallettin, kur ngritën lart Kupën e Italisë, pas një suksesi ndaj Interit në finale.
Që atëherë kaluan plot 14 vjet që Roma të rikthehej te titujt dhe në të njëjtën kohë të vendoste balancat edhe në kryeqytetin italian.
Kjo pasi ky ishte trofeu i 16 në historinë e klubit verdhekuq, po aq sa ka fituar edhe Lazio.
Verdhekuqtë kanë pasur gjithmonë epërsi ndaj lacialëve, por përmbysja ndodhi gjatë 10 viteve të fundit, për t’u rivendosur balanca sërish në Tiranë, me tifozët e Lazios që nuk mund të krenohen më me numrin e trofeve.
Top Channel