Forcat e ushtrisë turke thanë se kanë gjetur armë suedeze anti-tank së bashku me armatime të tjera në një shpellë të përdorur si bazë nga militantët kurdë PKK në veri të Irakut.
Ministria e mbrojtjes tha në përditësimin e operacionit ushtarak kundër atyre që quan “terroristë” kurdë PKK në veri të Irakut, se po vijon sulmet megjthë terrenin e ashpër dhe kushtet e vështira të motit.
Ata shtonin se militantët e fshehur në shpellë ishin neutralizuar pasi kishin hapur zjarr ndaj forcave turke.
Turqia përdor termin “neutralizoj” për të nënkuptuar se militantët në fjalë ishin dorëzuar, vrarë ose kapur prej tyre.
Disa shpella të tjera në zonë u sulmuan nga Turqia pas intensifikimit të operacioneve, në të cilat sipas Ankarasë janë vrarë pesë ushtarë turkë.
Ata shtonin se ishin gjetur armatime anti-tank AT-4 të prodhimit suedez, së bashku me disa tipe të tjera armësh e municioni si dhe televizorë, marrës-satelitorë, gjeneratorë, ngrohës dhe furnizime.
Një prej bazave ishte një shpellë me disa kompartimente, e ndarë me dhoma dhe me shkallë që lidhnin nivele të ndryshme, shtonte ministria turke.
Prej vitit 2020, Turqia vijon operacione kundër militantëve në veri të Irakut, të cilët i akuzon për sulme terroriste në Turqi dhe zonat kufitare.
Operacioni i fundit ka nisur në prill në rajonin iraken Metina.
PKK është listuar si organizatë terroriste nga Turqia, SHBA dhe BE, pasi konsiderohet përgjegjëse për vdekjen e reth 40 000 njerëzve, shkruan agjencia shtetërore turke Anadolu.
Top Channel