Tragetet me tifozët e Romës mbërrijnë në Durrës, nis festa në rrugët e qytetit

25/05/2022 09:59

Mijëra tifozë të Romës po mbërrijnë edhe sot në portin e Durrës për të ndjekur në mbrëmje skuadrën e tyre të zemrës, që luan përballë Feyenoord, në ndeshjen finale të UEFA Conference League.

Me flamuj në duar, ata kanë nisur festën që sapo kanë mbërritur në vendin tonë, ndërsa shprehen optimist se Roma do të rrëmbejë sonte trofeun.

Mbrëmjen e sotme, 25 maj, në orën 21:00 “Air Albania” do të presë finalen e parë të Conference League, ku skuadra e Jose Mourinhos do të përballet me atë të Arne Slot, për të shënuar një moment historik në futbollin shqiptar.

Italianët kërkojnë fitoren në këtë ndeshje. Mediet italiane kanë zgjedhur t’i bëjnë një thirrje trajnerit të “verdhekuqve” përpara kësaj ndeshje.

Një ndër titujt kryesor është ai i “Tuttosport” që shkruan: “Roma shpëton Italinë”, kjo për faktin se “verdhekuqtë” janë i vetmi klub italian që shkon në një finale europiane dhe është kaq afër trofeut këtë sezon, por edhe sepse kombëtarja e Italisë po ashtu nuk pati ecuri pozitive dhe do të jetë jashtë Botërorit Katar 2022.

Ndërsa “Sportmediaset” shkruan: “Roma, për të fituar sërish në Europë, Conference League do të shkruhet në histori”

Kjo është finalja e parë europiane që luhet në vendin tonë, duke shënuan një moment historik në futbollin shqiptar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA