Inside Story/ Dokumentet/ Policia greke nuk reagoi pas sulmit në postën kufitare shqiptare

25/05/2022 23:26

Në dosjen hetimore, analizohet qëndrimi i palës greke ditët e para pas ngjarjes. Në një letër të ministrit të jashtëm të kohës për kryetarin e Këshillit të Sigurimit thuhej se pala shqiptare kishte njoftuar me vonesë.

Por, në fakt oficeri rojë i Kakavijës kishte njoftuar homologun e tij grek mbi sulmin e armatosur duke kërkuar ndihmë. Në dokumentin e dosjes hetimore thuhet se nga pala greke nuk pati asnjë përgjigje për bashkëpunim.

“Pala greke u njoftua nëpërmjet-oficerit të rojes të pikës kufitare shqiptare të Kakavijes, i cili shkoi dhe takoi oficerin e rojes të pikës kufitare greke për krimin e për ti kërkuar ndihmë në kapjen e kriminelëve. Nga pala greke nuk erdhi ndonjë përgjigje për bashkëpunim”
Në një takim që drejtori i atëhershëm i Policisë Agim Shehu zhvilloi në Janinë me shefin e shërbimit sekret grek Antinios Angelopulos, ky i fundit kishte mohuar përfshirjen greke. Ai kishte nxjerrë si pretekst se pala greke nuk kishte vepruar për kapjen e terroristëve pasi shqiptarët kishin njoftuar vetëm përmes një polici në kufi, dhe nuk dihej cili polic grek ishte njoftuar.

Ai ka ngritur pretendime se nuk ka gjurmë këmbësh apo gishtash të provojnë autorësinë. Lidhur me komunikimin greqisht të agresorëve, shefi i shërbimeve sekrete greke kishte mbajtur qëndrim se gjuha e tij flitet nga mijëra shqiptarë. Më tej, ai është shprehur se në shtetin helen nuk ka grupe terroriste.

Kjo, bie në kundërshtim me vetë deklaratat e cituara më sipër të zyrtarëve dhe medieve greke që japin informacion të bollshëm për organizatën terroriste MAVI. Një organizatë që ka synime të qarta territoriale ndaj trojeve sovrane shqiptare.
“Ka patur dëshmi indicei, dhe të dhëna që të conin në rritjen e numrit të bshkëpuntorëve që kishin punuar në këtë vepër penale me qëlime terroriste deri në cënim të sovranitetit” u shpreh Eugen Beçi, ish-prokuror i çështjes

Top Channel