Partia Socialiste ka vendosur që të shtyjë deri më 31 Maj afatin e aplikimeve dhe të propozimeve për 61 kryetarët e partisë në 61 bashkitë e vendit.

Në kushtet kur afati i përcaktuar skadon sot dhe marrë në konsideratë interesin e lartë për pjesëmarrje në këtë proces, Sekretariati Ekzekutiv i Partisë Socialiste ka vendosur shtyrjen e afatit të aplikimeve.

“Në zbatim të vendimeve të Kongresit, Asamblesë Kombëtare dhe Kryesisë për fushatën e zgjedhjeve të brendshme për kryetarët e 61 degëve të partisë në bashki, deri ditën e djeshme janë administruar mbi 400 emra si kërkesa për vetkandidim dhe propozime nga Këshillat Socialiste në territor.
Në kushtet kur afati i përcaktuar skadon sot, marrë në konsideratë interesi i lartë për pjesëmarrje në këtë proces, Sekretariati Ekzekutiv i Partisë Socialiste ka vendosur shtyrjen e afatit të aplikimeve dhe propozimeve deri në datën 31 Maj”, thuhet në njoftim e Partisë Socialiste.

PS bën me dije se kjo periudhë shtesë do të shërbejë jo vetëm për administrimin e kandidaturave të reja, por edhe plotësimin e dokumentacionit të nevojshëm nga kandidaturat e deritanishme.

“Çdo kandidaturë duhet të ketë si dokumentacion shoqërues një CV, kërkesën për kandidim dhe formularin e vetdeklarimit për garantimin e integritetin ligjor. Platforma e kandidimit është një material i cili do të prezantohet para asamblesë së bashkisë përkatëse vetëm nga kandidatët të cilët kualifikohen për fazën finale të garës”, theksohet në njoftim.

Procesi i propozimit të kandidaturave për kryetar të partisë së bashkisë është i hapur dhe në të marrin pjesë të gjithë strukturat e partisë së bashkisë, drejtuesi politik i qarkut, deputetët e asaj bashkie, forumet apo çdo anëtar i spikatur i PS në bashki.

Top Channel