![](https://top-channel.tv/wp-content/uploads/2025/02/lcimg-b3511a43-091b-40b2-a9a0-551fbe5678ab_hd-800x450.jpg)
Një tjetër legjendë e Feyenoordit në Tiranë për finalen e Conference League.
Jon Dahl Tomasson, sulmues danez, që të pasionuarit e futbollit në Shqipëri e kujtojnë për karrierën e tij te Milani, në intervistën për Andi Deçkën thekon se finalja luhet për ta fituar, pasi askush nuk të kujton se ke qenë finalist.
Mister Tomasson, nuk është hera e parë që vini në Shqipëri, keni qenë edhe me Danimarkën. Si e rigjetët Shqipërinë?
Sapo u larguam nga hoteli dhe duket shumë bukur. Është një ndeshje e madhe dhe mjaft emocionuese ndaj Romës dhe po e pres me padurim.
Ju jeni legjendë e Feyenoordit, çfarë do të thotë për ju suksesi në këtë kompeticion të ri Europian?
Fitova me Feyenoordin finalen e UEFA Cup 20 vite më parë, ishte një përvojë e paharrueshme dhe duhet ta luash një finale. Finalja është një ndeshje e madhe, jo çdo lojtar luan në një finale gjatë karrierës se tij, por nëse e ben diçka të tillë, duhet ta fitosh, pasi askush nuk e mban mend ekipin humbës. Kujtohen vetëm fituesit. Të gjithë këta lojtarë mund të shkruajnë një kapitull te suksesshëm në historinë e Feyenoordit, do të ishte si një përrallë, shpresoj që Feyenoord të fitojë sot.
Duhet të ketë qenë fundjave e mrekullueshme për ju, pasi ish-skuadra juaj, Milani, fitoi kampionatin. Një mesazh për fansat shqiptarë të Milanit?
Para së gjithash, është diçka e bukur të shohësh një skuadër të madhe të rikthehet aty ku e meriton, duke fituar titujt. Kishte kaluar kohë e gjatë që nuk fitonin. Unë kam kaluar 3 vite te Milani, gjatë asaj kohe mendoj se ishim më të mirët në botë. Është diçka e shkëlqyer për Milanin, kanë bërë një punë fantastike, jam shumë i lumtur për ta, veçanërisht për të gjithë tifozët shqiptarë të Milanit./supersport
Top Channel