Për herë të parë këta atletë mbajtën lart flamurin e një vendi që nuk ishte Ukraina. Si asnjëherë nuk e kishin menduar ata garuan për një qytet shqiptar.
Atletët e Ukrainës morën pjesë në kampionatin e 84-të Shqiptar të Atletikës me ngjyrat e Elbasanit. Të ikur nga lufta në vendin e tyre prej dy muajsh, 10 atletë të Ukrainës po qëndrojnë në Elbasan.
“Në Shqipëri po kalojmë një eksperiencë të mirë. Unë kam bërë një garë të mirë edhe pse jo në disiplinën time. Por gjithsesi ne në Shqipëri po stërvitemi në një qiell të pastër, pa luftë”, thotë Valentin Loboda.
“Është shumë e rëndësishme marrja pjesë në këtë garë sepse qaë kur nisi lufta në Ukrainë, para disa muajsh, ne nuk mundeshim të kryenim stërvitjet tona, madje nuk kishim më as vende ku të stërviteshim. Kështu që faleminderit Shqipërisë dhe Komitetit Olimpik Shqiptar që na e dhanë këtë mundësi të qëndronim dhe stërviteshim në Shqipëri”, shprehet Maria Larina.
Federata Shqiptare e Atletikës në Bashkëpunim me KOKSH-in dhe Bashkinë e Elbasanit u ka krijuar atletëve ukrainas kushtet për stërvitje dhe marrjen pjesë normalisht në garat kombëtare.
Kampionati solli edhe disa risi sportive ku u thyen dy rekorde kombëtare nga Luiza Gega e Tiranës dhe Franko Burraj i Vllaznisë.
Top Channel