“S’ka çfarë pret më”/ Krimi në komisariatin e policisë, Noka: Ministri i Brendshëm të japë dorëheqjen

24/05/2022 14:49

Deputeti i Partisë Demokratike Flamur Noka kërkon dorëheqjen e ministrit të Brendshëm Bledi Çuçi, pas ngjarjes së një nate më parë, ku një polic vrau kolegun e tij brenda komisariatit.

Vrasja mes policëve mbrëmë në mes të Tiranës, brenda komisariatit, si dhe plagosja me armë e një qytetari nga një polic tjetër po në komisariat, janë tregues të degradimit qe  qeveria e Edi Ramës i ka shkaktuar organizatës së policisë së Shtetit”, u shpreh Noka në një deklaratë për mediet.

Sipas tij, Policia e Shtetit është dobësuar, ndërsa krimi i organizuar është fuqizuar, gjatë nëntë viteve të qeverisjes së Edi Ramës.

Këto vite, ne kemi qenë dëshmitarë sesi një trupë profesioniste, rezultatet pozitive të së cilës ishin vendimtare për liberalizimin e vizave, u shndërrua në një trupë me rekrutë të politizuar, që i shërben vetëm partisë-shtet.  Ne jemi dëshmitarë sesi në këto 9 vitet e fundit policia e shtetit u vendos në shërbim të trafikut të drogës, në shërbim të mbjelljes së kanabisit në të gjithë vendin, në shërbim të çdo grupi kriminal që ndihmonte pushtetin për të vjedhur votat. 

Vrasja brenda komisariateve e policëve me njëri tjetrin është një histori e padëgjuar më parë. Zor se gjen shembuj të ngjashëm edhe në vendet e botës së tretë. Është modeli i qeverisjes së Edi Ramës, i cili ka zëvendësuar Policinë e Shtetit me militantë, që nuk njohin ligjin, nuk respektojnë të drejtat e njeriut dhe kanë degraduar në një pikë të pakthyeshme besimin e qytetarëve tek policia”.

Ngjarjet e ndodhura mbrëmë në dy komisariatet e policisë janë pasqyre e një sistemi të kalbur e të degraduar nga eprorët e tyre politikë, shprehet deputeti

Ministri i Brendshëm nuk ka çfarë të presë më, por të japë dorëheqjen që sot”, shton Noka.

Top Channel