A do të jetë seanca e 30 Majit e treta e vërteta për opozitën e Enkelejd Alibeajt në sjelljen e një kandidature për ta votuar në kuvend për president?
Klima e diskutimeve në konferencën e kryetarëve la pak vend për optimizëm.
Enkelejd Alibeaj: Ata nuk duan një president të republikës, por një president të tyre. Ramë dakord për një president të qartë të shkruar të thënë para mediave, ku opozita të mos ishte thjesht dhe vetëm mbushëse topi, por një palë në një proces serioz. U tërhoqën sepse e kanë të përcaktuar që duan të shkojnë te raundi i katërt. Nuk i qëndrojnë fjalës, dakordësisë. Nuk është fjala sa solide është opozita. Në këtë proces futemi si një detyrim kushtetues, politik, për qytetarët.
Fatmir Mediu: Nuk ka kohë as për 8 as për 10 kandidatë, të gjejmë një kompromis, ajo që e bën të mundshme është të dëgjojmë njëri tjetrin, duhet të kishim çuar dje një kandidaturë, dhe duhet të çojmë në raundin e tretë një kandidat, para se të kërkojmë përgjegjësi te pala tjetër, duhet ta kërkojmë te vetja, kemi në dorë një element kushtetues, le ta dëgjojmë njëherë brenda vetes dhe të përpiqemi të gjejmë një konsensus me maxhorancën brenda një kohe të shkurtër. Më vjen keq që i them këto gjëra publikisht, por kjo ka mbetur e vetmja formë për të folur duhet të dalim me një kandidaturë.
Socialistët përsëri ia la derën të hapur Alibeajt në sjelljen e një kandidati në raundin e tretë.
Taulant Balla: Do shkojmë në grupin parlamentar të PS, do themi kanë ardhur këto kandidatura pastaj do vijmë tek ju për secilin. Nëse mendoni që ju propozoni katër dhe mes tyre patjetër duhet të jetë presidenti, ky nuk është proces. Unë mendoj që bisedimet duhet të vijojnë. Nëse 4, 2 1 është formula juaja le të themi që sot nuk kemi dakordësi dhe le të kërkojmë nga partitë e tjera që të propozojnë kandidatura që mund të marrë mbështetje.
Elisa Spiropali: Pse vini kur e cilësoni si ilegjitim këtë proces? Ne kemi qenë që ditën e parë të gatshëm për të dhënë emra, kushte nuk vëmë, kushte nuk mund që të na vini. Ne emrat i marrim përmes portaleve dhe mediave por nuk na vijnë prej jush.
Kur me të gjitha gjasat edhe në raundin e tretë do të shkohet pa kandidatë, se çfarë do ti parapri raundit të katërt ku do të zgjidhet presidenti i ri i shpjegoi kryeministri Edi Rama.
Java e parë e qershorit do ta gjej Shqipërinë me një president të ri të zgjedhur vetëm me 71 vota të cilat socialistët e kanë.
Top Channel