Gjiknuri: PS e gatshme për votën e emigrantëve, KQZ të çojë para procesin, të përfshihen edhe partitë e tjera

24/05/2022 10:49

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste Damian Gjiknuri kërkoi që të niset puna për Reformën Zgjedhore dhe të bëhet e mundur vota e diasporës.

Në fjalën e tij në tryezën e organizuar për votën e emigrantëve, Gjiknuri u shpreh se PS është e gatshme për këtë proces, teksa bëri thirrje për përfshirjen e partive të tjera politike.

“Vullneti politik është shprehur, akti i KQZ ka mundësi të reflektojë dhe opinionet e partive politike. Vota e diasporës,ka ardhur momenti të bëhet e mundur. KQZ është në pozicion më të mirë për ta çuar përpara këtë proces. Ka një kompetencë profesionale për ta çuar para. Nga ana tjetër, mund të hapen debate sesa është pesha e votës së emigrantëve, tashmë kemi një regjistër të gjendjes civile, gjë që siguron integritet. Do të jenë të regjistruar në një vend të veçantë. Mund të dalin probleme natyrisht, por KQZ mund të shërbejë si një shtytës për të sjellë disa skema. Duhet punë, edhe për sensibilizimin e qytetarëve për të mundur ushtrimin e votës. PS është e gatshme, i bëj thirrje palëve politike të marrin pjesë, se bëhet gati 1/3 e elektoratit. PS garanton mbështetjen dhe nëse kjo punë fillon tashmë, kemi të drejtën që vota e emigrantëve të bëhet e mundur”, tha Gjiknuri.

Top Channel