Me një sulm personal ndaj Kyriakos Mitsotakis dhe siç e cilësojnë mediet greke, dukshëm i irrituar nga rezultatet e vizitës së kryeministrit grek në SHBA, Rexhep Tajip Erdogan ka kaluar në nivel më të lartë të retorikave në marrëdhëniet greko-turke, duke ndërprerë çdo kontakt mes dy vendeve.

Që tani e tutje, Mitsotakis nuk ekziston më për mua. Nuk pranoj ta takoj. Sepse ne ecim përpara me politikanë me personalitet dhe dinjitet që e mbajnë fjalën. Ne kishim rënë dakord që të mos përfshinim vendet e treta në mosmarrëveshjet tona. Por pavarësisht kësaj, ai në  një vizitë në SHBA javën e kaluar foli në Kongres dhe i paralajmëroi të mos na jepnin F-16”, ka deklaruar ai në fjalën e tij pas mbledhjes së kabinetit.

Erdogan ka shprehur gjithashtu shqetësimin e tij për praninë e  të paktën 10 bazave amerikane në Greqi duke mos kuptuar arsyen e ekzistencës së tyre në një moment që vendi u ka borxh shteteve të BE-së. 400 miliardë euro.

Duke komentuar këtë qëndrim që e ka quajtur ekstrem nga ana e presidentit Erdogan, zëdhënësi i qeverisë, Jorgos Oikonomou ka theksuar se Greqia nuk futet në një lojë deklaratash me lidershipin turk.

“Kryeministri Kyriakos Mitsotakis mbron fuqishëm dhe në mënyrë efektive si ligjin tonë kombëtar ashtu edhe legjitimitetin ndërkombëtar. Politika e jashtme greke bazohet fort në histori, të drejtën ndërkombëtare dhe aleancat tona, sado që kjo i shqetëson disa. Politika jonë është një politikë parimesh”, ka thënë ai.

Sipas qarqeve qeveritare nuk përjashtohet përsëri një verë e “nxehtë” si ajo e dy viteve më parë mes Athinës dhe Ankarasë, pasi klima e mirë nga takimi në Stamboll dy muaj më parë i përket së shkuarës.

Ndërkohë vihen re rritje të mëdha të flukseve të emigrantëve si nga brigjet turke drejt ishujve grekë, ashtu edhe nga kufijtë tokësorë mes dy vendeve.

Me këtë atmosferë të krijuar vlerësohet se as që bëhet fjalë për realizimin e takimit të  parashikuar mes Mitsotakis dhe Erdogan në Samitin e NATO-s në Madrid që do të mbahet në fund të qershorit, dhe për më tepër edhe për punimet e Këshillit të Lartë të Bashkëpunimit Greko-Turk në vjeshtë në Athinë.

Top Channel