Në 30 maj raundi III për Presidentin/ Balla-Alibeajt: Nëse nuk do propozoni emra na thoni dhe pyesim grupet e tjera parlamentare

24/05/2022 15:41

Konferenca e Kryetarëve për zgjidhjen e Presidentit të ri u mblodh sërish këtë të martë, pasi një ditë më parë dështoi raundi i dytë i procesit.

Negociatorët e mazhorancës i dhanë opozitës të drejtë të propozojnë kandidatë në raundin e dytë dhe të tretë. Me pretendimin se mazhoranca ndryshoi papritur qëndrim, Grupi Parlamentar i drejtuar nga Alibeaj nuk propozoi asnjë emër.

Raundi është lënë sërish në dorë të opozitës, por Alibeaj këmbëngul që procesi të bëhet sipas formulës 4:2:1.

Taulant Balla nga ana tjetër, thotë se nëse nuk ka dakordësi, do të ftojë grupet e tjera parlamentare të propozojnë emra, ndërkohë që data për raundin tjetër u la në 30 maj.

“Nëse e keni kusht të panegocueshëm 4:2:1 na e thoni që sot dhe themi nuk kemi dakordësi dhe mund të marrim propozime nga dy grupet e tjera parlamentare”, tha kreu i Grupit Parlamentar të PS-së.

Ndërkohë që Elisa Spiropali kërkon emra konkretë nga opozita: “Kemi dëgjuar emra nga ju vetëm nëpërmjet portaleve, nuk keni dorëzuar asnjë shkrim asnjë dokument. Ne nuk po vëmë asnjë kusht. Po vëmë gjithë mbështetjen tonë në dispozicion të këtij procesi”.

Raundi i parë për zgjedhjen e presidentit u ezaurua më 16 maj pa kandidatë zyrtarë, pasi grupet parlamentare në Kuvendin e Shqipërisë nuk dorëzuan kandidatura.

Sipas Kushtetutës së Shqipërisë, kandidati për president i propozohet Kuvendit nga një grup prej jo më pak se 20 deputetësh.

Për zgjedhjen e presidentit të vendit, Kuvendi zhvillon deri në pesë votime (raunde). Presidenti zgjidhet në votimin e parë, të dytë ose të tretë kur një kandidat merr jo më pak se tri të pestat e votave (84 vota) të të gjithë anëtarëve të Kuvendit, ndërsa Kuvendi i Shqipërisë ka 140 deputetë.

Në votimin e katërt dhe të pestë zgjidhet president kandidati që siguron më shumë se gjysmën e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Votimi i pestë zhvillohet kur në votimin e katërt asnjë kandidat nuk ka siguruar shumicën e kërkuar të votave.

Top Channel