Ora 18 e kësaj të hëne do ta gjej parlamentin në seancë të posaçme për zgjedhjen e presidentit.

Por pa një emër për tu votuar pas prishjes të konsensusit mes shumicës dhe opozitës të cilës iu dha e drejta e propozimit për raundet dy dhe tre.

Me të gjitha gjasat edhe në raundin e tre të 30 majit do të shkohet pa kandidatë duke i hapur rrugës shumicës ta zgjedhë presidentin me 71 vota në raundin e katër në fillim të qershorit.  Në kushtet kur opozita e Enkelejd Alibeajt u tërhoq nga propozimi kandidaturave dhe zgjedhja e Sali Berishës në krye të PD solli debate në parlament.

Berisha: Ajo është e famshme, tenderët ia jep Enklit, është i vëllai i tij, tenderët e ujësjellësit burri i kësaj zonjës 5 milionëshe ia jepte vëllait të saj. Burrin e çoi nga ujësjellësi në tenderët e KESH apo të OST dhe aty përsëri kushëriri… pra nëse ka një burrë dhe një grua që kanë lumturuar njëri tjetrin me paratë publike janë çifti Spiropali-Toto. Unë do të nxjerr çdo aferë që ke ti, se në këtë platformë vjedhjet që bëni dhe që kushtëzon shpenzimet tuaja është detyrë e imja dhe e opozitarëve. Yt shoq jep tenderin vëllanë tënd, s’ka vjedhje më të madhe se kjo. Ja ku e ke tenderin.

Elisa Spiropali, ministre për marrëdhëniet me parlamentin e sfidoi Berishën për akuzat në adresë të saj.

Spiropali: S’ma bën syri ‘tërr’, nuk kam për tu intimiduar, dëgjoje mirë këtë gjë. Po të bëj thirrje shko në SPAK e ku të duash, ty historia të del ndryshe.

Taulant Balla kreu grupit parlamentar socialist kërkoi të injorohen deklaratat e Berishës për aq kohë sa ai, ka llogari të hapura me SHBA pas shpalljes non-Grata.

Balla: E gjithë Shqipëria e di që Sali Berisha është pronari ‘de facto’ i një televizioni, që e transmeton live Saliun edhe kur del në tualet. Pse nuk hetohet kjo? Kush e financon atë televizion? E patë çfarë pagash kishte në atë televizion. Drejtuesi i atij televizioni merr 500 mijë lekë të vjetra? Nuk ka shanse. Ndërkohë që ky vjen këtu edhe bërtet ‘vëllai jot, motra jote’. Ky që ka ‘non-grata’ edhe familjen.

Taulant Balla përsëriti këtë kërkesë për organet tatimore e ligj-zbatuese.

Balla: Pastrimi i parave dhe Tatimet të shkojnë të hetojnë. Ajo dosja e ‘boronicave’ është shumë e thjeshtë. Ky është SPAK, ndërkohë që Kompleksi Partizani është skema më e qartë e pastrimit të parave. Kompania që ka ngritur Kompleksin Partizani financon televizionin që po flas”.

Top Channel