Punonjësit e argjendarisë përleshen me grabitësit me çekicë në videon dramatike nga Kalifornia (fotot)

23/05/2022 18:01

Në disa pamje të rënda të kamerave të sigurisë tregohet një burrë i maskuar që hyn në një argjendari në qytezën Huntington Beach, nxjerr një çekiç dhe nis të thyejë vitrinat e xhamta.

Tre bashkëpunëtorë me çanta shpine e ndjekin atë për realizimin e grabitjes, para se punonjësit e dyqanit të hyjnë në veprim duke u përleshur me grabitësit.

Pamjet tregojnë punonjësit që i shtyjnë e qëllojnë me duar e me këmbë grabitësit, ndërsa një grua lëshon një stol ndaj tyre.

Dallas Baca, i biri i pronarit dhe një prej protagonistëve, tha për tentativën e të dielës më 22 maj: “Nuk e mendova shumë, vetëm reagova”. Motra e tij Sarah, e cila gjithashtu punon në dyqan tha për mediat se kishte kërkuar diçka të rëndë dhe kapur stolin për të luftuar grabitësit.

Këta të fundit më pas ishin larguar nga qendra tregtare pa marrë asgjë, tha policia vendase në një njoftim, duke shtuar se hetimet vazhdojnë.

“Ata ishin me fat që kriminelët nuk kishin armë përveç atyre me të cilat thyen vitrinat e bizhuterive”, tha oficeri Bruce Thomas për rrjetin KABC. “Nëse do të kishin pasur pistoletë, gjërat mund të kishin përfunduar ndryshe.”

Dyqani do të mbetet mbyllur për disa ditë për riparime.

Huntington Beach është një qytet me 201,000 në jug të Los Angeles.

FOTO GALERI
1/2
Pamjet tregojnë punonjësit që i shtyjnë e qëllojnë me duar e me këmbë grabitësit, ndërsa një grua lëshon një stol ndaj tyre.

Top Channel