“Mitsotakis nuk ekziston për mua”/ Erdogan “shpërthen” ndaj kryeministrit grek

23/05/2022 22:51

Presidenti i Turqisë Rexhep Tajip Erdogan ka ashpërsuar retorikën ndaj kryeministrit të Greqisë Kyriakos Mitsotakis, duke thënë se ai “nuk ekziston për të”.

Deklarata e tij vjen pasi ai vizitoi SHBA-në dhe akuzoi kryeministrin grek se po përpiqet të bllokojë shitjen e avionëve luftarakë F-16 në Ankara.

“Ne kishim rënë dakord që të mos përfshinim vendet e treta në mosmarrëveshjen tonë me të. Pavarësisht kësaj, ai pati një vizitë në SHBA javën e kaluar dhe bisedoi me Kongresin dhe i paralajmëroi të mos na jepnin F-16. [Mitsotakis] nuk ekziston më për mua. Unë kurrë nuk do të pranoj të takohem me të”, tha Erdogan në një konferencë për shtyp.

Megjithatë, presidenti turk tha se ai nuk parashikonte që SHBA do të merrte parasysh opinionin e Mitsotakis kur merrte vendimin e saj për shitjen e F-16.

Ankaraja i kishte bërë një kërkesë Uashingtonit në tetor për të blerë 40 avionë luftarakë Lockheed Martin F-16. Departamenti i Shtetit i shkroi një letër Kongresit muajin e kaluar duke thënë se do t’i shërbente interesit kombëtar të SHBA-së dhe unitetit të NATO-s për të miratuar shitjen.

Erdogan njoftoi gjithashtu anulimin e takimit të këshillit strategjik me Greqinë, sipas  Anadolu Agency.

Tensionet midis fqinjëve dhe anëtarëve të NATO-s, Greqisë dhe Turqisë, u rritën që nga viti 2020 pas planeve të Ankarasë për të eksploruar naftë dhe gaz në Mesdheun lindor.

Të dy vendet kanë pasur gjithashtu një sërë mosmarrëveshjesh për kufirin ajror dhe detar. Muajin e kaluar, Athina dhe Ankaraja shkëmbyen akuzat për shkelje të hapësirës ajrore me avionë luftarakë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA