Projekti i Butrintit u miratua me 78 vota pro këtë të enjte në seancën plenare në Kuvend, pas shumë debateve mes opozitës dhe maxhorancës.

Nga 114 deputetë, 35 votuan kundër dhe një abstenoi.

Projektligj “Për miratimin e marrëveshjes për administrimin e nënzonave të trashëgimisë  kulturore dhe peizazhit kulturor, pjesë e Parkut Kombëtar të Butrintit, ndërmjet Ministrisë së  Kulturës dhe Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit” përfshin  administrimin e nënzonave të trashëgimisë kulturore nga fondacioni jo shtetëror shqiptaro-amerikan për zhvillim.

Në kuvendin e së hënës u debatua ashpër nga ana e maxhorancës dhe opozitës, ndërsa kjo e fundit kundërshtoi.

Para Kuvendit u zhvillua edhe një protestë për të kërkuar anulimin e këtij projektligji.

Mbrojtja e Butrintit është imperative për çdo shqiptar, u shpreh kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha. Ai u shpreh se kjo është një ndër marrëveshjet më shkatërrimtare për pasuritë natyrore të vendit.

Ndërsa ministrja Elva Margariti në Kuvend u shpreh se janë plotësuar kushtet e UNESCO-s dhe se ky model zhvillimi do e bëjë Butrintin të njohur në rrafshin ndërkombëtar.

Top Channel