Krichbaum paralajmëroi ndërprerje të bashkëpunimit me PD-në nëse rikthehet Berisha/ Balliu: Ishte mendimi i tij personal, jo i CDU/CSU

23/05/2022 22:14

Deputeti kristiandemokrat në Parlamentin Gjerman, Gunther Krichbaum për çështje të Bashkimit Evropian e bëri të qartë se nuk do të bashkëpunojnë me PD-në nëse i kthehet të djeshmes, duke iu referuar ish-kryeministrit Sali Berisha.

Deklarata e tij erdhi pak ditë para se Berisha të fitonte zgjedhjet dhe të merrte sërish drejtimin e së djathtës. Por demokrati Klevis Balliu e sheh qëndrimin e Krichbaum, si qëndrimin e tij personal.

“Është një mendim i tij, nuk thotë aty që është mendim i CDU/CSU”, thotë Balliu në “Top Story”, duke shtuar se Krichbaum është mik i Lulzim Bashës dhe prandaj mban këtë qëndrim.

Rikthimi i tretë i Sali Berishës ashtu siç pritej, nuk u duartrokit nga ndërkombëtarët.

Rruga e Elbasanit zgjodhi të flasë me heshtje duke lënë të kuptohet se porosia e Uashingtonit ka nisur të zbatohet: Me Berishën kryetar, Partia Demokratike do ketë raport të pamundur me Shtetet e Bashkuara te Amerikës.

Si asnjëherë më parë, mesazhi i urimit mungoi dhe nga partitë simotra në Gjermani, ndërkohë që Gunther Krichbaum, i cili paralajmëroi  një pezullim të Partisë Demokratike nga partitë popullore europiane nëse drejtimin e merr Berisha.

Top Channel