“Burri jot i jep tendera vëllait tënd”/ Spiropali-Berishës: Nuk ma bën syri tërr, shko në SPAK

23/05/2022 12:06

Kanë vijuar përplasjet në Kuvend mes ministres Elisa Spiropali dhe kreut të PD-së, Sali Berishës.

Ky i fundit e akuzoi Spiropalin se vëllai i saj është pasuruar nga tenderi që i ka dhënë bashkëshorti i saj. Spiropali i quajti shpifje deklaratat e Berishës, duke i bërë thirrje që për këto akuza të shkojë t’i drejtohet SPAK-ut.

Debati në Kuvend: 

Sali Berisha: Ndrikull Spiropali është titulli i një postimi, pas çdo fjale ka një vjedhje. Ndrikull 5 milionëshja është favoze me bashkëshortin e saj, Salarjonin, e cila ia jepte tenderët vëllait të saj që të shtoheshin milionat. Zonja që u pasurua aq shumë në dogana saqë kudo ta prekësh para nxjerr, burrin e çoi nga ujësjellësi në tenderët e KESH. Edhe aty përsëri Salarjoni, pra në qoftë se ka një burrë dhe një grua që kanë lumturuar njeri tjetrin me para publike janë Spiropali- Toto. Yt shoq i jep tenderin vëllait tënd. Nuk ka vjedhje më të madhe ditën për diell si kjo. Do të ta them edhe tenderin. 

Elisa Spiropali: Unë e njoh vëllanë tim, sa e ka rrogën, ku punon. Njoh bashkëshortin, njoh kunatën time, nuk jam nga ata që nuk njohin baxhanakët. Mbaj përgjegjësi për të gjithë këta, se një cent nuk e kanë përfituar njerëzit e mi, çfarë mund të thuash për njerëzit e tu Sali. Prandaj s’ma bën syri ‘tërr’, nuk kam për tu intimiduar, dëgjoje mirë këtë gjë. Po të bëj thirrje shko në SPAK e ku të duash, ty historia të del ndryshe, asnjë lloj shpifje nuk do na tërheq nga kjo betejë që nuk është me ty, por me një Shqipëri europiane që ty të ka lënë pas dhe ti nuk mund tja zësh më rrugën.

Top Channel