Dy të vdekur e dhjetra të plagosur nga tornado i paprecedentë në qytetin amerikan të Michigan (fotot)

21/05/2022 18:33

Të paktën dy persona janë vrarë dhe 40 të tjerë janë plagosur kur një tornado i rrallë goditi një qytet ne veri të shtetit amerikan të Michigan.

Tornado me erë shkatërrimtare të spërdredhur shkatërroi qytezën e Gaylord, mbrëmjen e djeshme duke shembur disa ndërtesa e duke përmbysur makina në rrugën kryesore të qytetit.

Meteorologu vendas Jim Keysor, tha se njerëzit në Gaylord nuk kishin parë kurrë një event të tillë moti ekstrem në qytetin e tyre.

Ai shtonte se erëra të tilla janë të pazakonta në Michigan për arsye të liqeneve të mëdha që thithin energjinë e stuhive.

“Fëmijët dhe të rriturit nuk kishin parë kurrë mot të një ashpërsie të tillë në Gaylord”, tha Keysor.

Rezidentët thonë se kishin marrë mesazhe alarmi disa orë para goditjes nga tornado dhe disa prej tyre ishin strehuar në ambjente më të sigurta.

Kryqi i Kuq kishte ngritur një strehë në një kishë për të prekurit, ndërsa guvernatori i Michigan shpalli gjendjen e emergjencës duke liruar burime shtesë për rajonin Otsego.

FOTO GALERI
1/3
Të paktën dy persona janë vrarë dhe 40 të tjerë janë plagosur kur një tornado i rrallë goditi një qytet të shtetit amerikan të Michigan.

Top Channel