Tiranë, 20 maj 2022-Në Shqipëri, dukuria e migracionit ka një histori të gjatë dhe komplekse. Gjatë periudhës postkomuniste Shqipëria përjetoi valë të mëdha migracioni për shkak të faktorëve ekonomikë, socialë dhe politikë, fillimisht me dyndjet në ambasadat e vendeve evropiane dhe më vonë me anijet e drejtuara kryesisht drejt Italisë, duke e kthyer Shqipërinë malore në “një det lotësh” dhe detin në “një mal me njerëz” siç e përshkruan një këngë e famshme e asaj periudhe.
Që nga fillimi i pranisë së Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin (IOM) në Shqipëri, në vitin 1992, çështja e migracionit ka qenë rregullisht në qendër të vëmendjes. Prirja e lartë për të migruar, qoftë edhe në mënyrë të parregullt, vazhdon ende dhe ndikimi i saj i mundshëm përbën shqetësim për të ardhmen e shoqërisë.
IOM në Shqipëri, në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme dhe institucionet partnere, fillon një fushatë të gjerë informimi dhe ndërgjegjësimi për të ndihmuar qytetarët shqiptarë dhe veçanërisht të rinjtë, të njihen me rrugët e rregullta të migracionit, por edhe me mundësitë e zhvillimit personal, profesional dhe ekonomik që ofron vendi.
Fushata, e zbatuar nga IOM në Shqipëri, është pjesë e projektit “Rritja e ndërgjegjësimit dhe informimit për sigurinë dhe fuqizimin për të gjithë – Shqipëri”, financuar nga Fondi i Bashkimit Evropian për Azilin, Migracionin dhe Integrimin dhe bashkëfinancuar nga Zyra e Migracionit e Shërbimit Federal për Punët e Brendshme të Belgjikës dhe Shërbimi i Riatdhesimit dhe Deportimit i Holandës.
Znj. Alma Jani, Drejtuese e Zyrës së IOM në Shqipëri, shprehet se “fushata mbarëkombëtare ndërgjegjësuese #ShqipëriaJeTi! është pritur mirë deri më tani dhe është mbështetur nga një gamë e gjerë aktorësh në nivel kombëtar dhe lokal, përfshirë shoqërinë civile”.
Aktorët kryesorë në zbatimin e këtij projekti në Shqipëri përfshijnë përfaqësues nga qeveria, ekspertë të shoqërisë civile, përfaqësues të zgjedhur nga institucionet publike në nivel vendor, si dhe qytetarë me përvojë në migracion. Gjithashtu, një rrjet prej 14 “influencuesish” është ngritur në 12 rajonet e Shqipërisë si edhe në Belgjikë dhe Holandë.
“Ndërgjegjësimi dhe informimi i qytetarëve shqiptarë për migracionin e rregullt, duke koordinuar veprimet me institucionet publike në nivel qendror dhe vendor dhe aktorët e shoqërisë civile, për të përmbushur detyrimet strategjike kombëtare dhe ndërkombëtare, është shumë i rëndësishëm”, thekson Drejtori i Përgjithshëm i Drejtorisë së Përgjithshme Rregullatore dhe Përputhshmërisë pranë Ministrisë së Brendshme, Znj. Silvana Banushi.
Objektivi kryesor i kësaj fushate është të angazhojë të gjithë këta aktorë për të rritur ndërgjegjësimin dhe për të ndryshuar perceptimet dhe sjelljet mbi migracionin, të propozojë përgjigje ndaj sfidave kryesore dhe nevojave aktuale, të motivojë dhe inkurajojë grupet e prirura drejt migracionit të parregullt për të marrë parasysh të gjitha mundësitë ekonomike dhe ato arsimore në Shqipëri, si dhe kanalet e rregullta të migracionit. Kjo fushatë do të shtrihet në mediat kryesore kombëtare dhe lokale të vendit, si dhe në mediat sociale, për të siguruar dhe optimizuar reagimin kombëtar krahas mbështetjes së ecurisë së vazhdueshme të menaxhimit të migracionit, në përputhje me objektivat e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Për më shumë detaje, ju lutemi vizitoni https://albania.iom.int/albania-you-shqiperia-je-ti
Nëse keni pyetje dhe dëshironi të përfshiheni, ju lutemi kontaktoni mailto:[email protected]
Top Channel