Real Madrid është ëndrra e fëmijërisë, në “Santiago Bernabeu” e presin krahë hapur, por PSG nuk ka ndërmend të dorëzohet, ndërsa Kylian Mbappe vazhdon të marrë kohë dhe të mendohet për të ardhmen e tij.
23-vjeçari ndodhet në vitin e fundit të kontratës me PSG-në, me kampionët e Francës që nuk kanë çfarë i ofrojnë më shumë për ta bindur: 300 milionë euro në momentin e firmës, dhe 100 milionë euro pagë sezonale!
Nuk mbaron këtu pasi nëse zgjedh të qëndrojë, Mbappe do të ketë një rol shumë të madh në vendimmarrje që lidhen me ekipin: si përzgjedhja e trajnerit apo miratimi i futbollistëve që kërkohen në merkato.
“Paraja flet (dhe fiton)“, shkroi në Twitter Romain Molina, gazetari i njohur francez, pas ofertës faraonike të PSG-së. Por në Spanjë janë të bindur që goleadori do të përfundojë në Madrid.
“Unë mendoj se Mbappe do të shkojë te Real Madrid. Nëse nuk ndodh do të jetë një lajm i keq për La Liga-n. Jam i idesë që nëse Kylian do kishte dashur të rinovonte kontratën, do ta kishte bërë disa kohë më parë, edhe pse mund të gaboj”, theksoi Javier Tebas, presidenti i La Liga-s.
Ndërkohë, Jean-Pierre Papin, një nga ish-lojtarët më të talentuar që ka nxjerrë futbolli francez, e shtyn Mbappe të transferohet te skuadra e Carlo Ancelottit gjatë prononcimit për Eurosport France.
“Një lojtar, nëse ka ëndrra, duhet t’i realizojë ato. Nëse ëndrra e tij është të luajë me Realin, ai duhet të shkojë atje. Përndryshe do të pendohet gjithë jetën. I thashë edhe babait të Mbappe këto fjalë”./ SuperSport
Top Channel