Konferenca e shtatë e Reduktimit të Dëmit e organizuar nga Shoqata Kombëtare e Shëndetit Publik pati në fokus informimin dhe edukimin e brezave pasardhës të mjekëve për tematikat më aktuale. Këtë vit, eventi erdhi me një panel më të zgjeruar ekspertësh shqiptar dhe të huaj.   

Në përfundim të konferencës ekspertët pjesmarrës dolën me një sërë rekomandimesh mbi përfshirjen e reduktimit të dëmit si një pjesë integrale e politikave të shëndetësisë, në punën e mjekëve në çdo nivel si ajo e kujdesit të familjes apo atij spitalor, por edhe pjesë e edukimit bazë në sistemin universitar. Përmes rezolutës ata dakordësuan në domosdoshmërinë e bashkëpunimit të qeverisë me institucionet e linjës në përfshirjen e strategjisë së reduktimit të demit në strategjinë kombëtare 2022-2030.

Dymbëdhjetë mjekë të njohur ndanë me mbi 400 pjesëmarrës, me prezencë në sallë dhe online, studimet e tyre lidhur me rëndësinë e konceptit të reduktimit të dëmit për duhanin, përdorimi i antibiotikëve, patologjitë kardiake, etj.

Mes tyre, një prej mbështetësve më të njohur të reduktimit të dëmit,kardiologu grek Kostantinos Farsalinos. “Duhanpirja është një problem aktual që prek shëndetin e 1 miliardë personave, ndaj dhe metodat dhe teknologjitë e reja janë të mirëpritura në rrethin e mjekëve”, kështu e nisi fjalën e tij mjeku dhe kërkuesi shkencor.

“Kështu që në vend që të këshillojmë vetëm që ta lënë cigaren, me mundësi si koncepti i reduktimit të dëmit, mjekët tanimë kanë praktika novatore për t’u sugjeruar duhanpirësve të rritur që zgjedhin ta vazhdojnë duhanin, por duan të eliminojnë dëmet që shkakton tymi i cigares. Një prej tyre është kalimi tek produktet alternative si cigaret elektronike, pajisjet me ngrohje, ngjitëset me nikotinë apo duhani i përtypshëm, që janë formuluar në bazë të kërkimeve të thelluara shkencore”, sqaroi ai.

Gjithashtu i ftuar në këtë konferencë ishte edhe eksperti i çështjeve të duhanit, doktor Roland Shuperka, i cili solli për publikun e interesuar një këndvështrim të problemit të duhanpirjes dhe zgjidhjeve të tij në shoqërinë shqiptare. “Ne nuk mund ta eliminojmë duhanpirjen, por ajo që mund të bëjmë është të eliminojmë tymin e kështu reduktojmë dëmin që ai shkakton në shëndet”, vijoi Shuperka, “disa nga alternativat më praktike janë ato që ngrohin duhanin apo ato që e avullojnë atë.”

Në vijim të trajtimit të rëndësisë së gjetjeve shkencore, Drejtori për shëndetin digjital dhe inovacionin në Gjermani, DR. Erion Dasho, nënvizoi faktin se shkenca dhe teknologjia kanë një lidhje shumë të fortë për ofrimin e një shërbimi mjekësor elitar. Dr. Dasho solli eksperiencën e tij për përfshirjen e inteligjencës artificiale “në analizimin e të dhënave me përmasa të mëdha dhe komplekse të cilat ndihmojnë në përcaktimin e problemeve shëndetësore, duke reduktuar kështu vdekshmërinë”.

Mjeku Arjan Harxhi, mbështeti gjithashtu rëndësinë e zbulimeve shkencore dhe novatore në mjekësi duke përmendur krijimin se “sëmundje si endokarditi bakterial apo meningiti ishin padyshim një dëmin me vdekje për këdo që i kishte këto lloj infeksionesh dhe shpikja pra e antibiotikëve nuk ishte gjë tjetër veçse një mrekulli që ndryshoi në mënyrë drastike mjekësinë moderne”.

Gjatë konferencës, drejtori i Shoqatës Kombëtare e Shëndetit Publik, Dr. Adrian Hoxha, bëri një thirrje miqësore për kolegët dhe studentët e tij, që të përqafojnë metodat e reja të kërkimit apo trajtimit të problemeve të ndryshme shëndetësore, të cilat reduktojnë sa më shumë riskun e përkeqësimit të pacientëve të tyre.

FOTO GALERI
2/6

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA