Agjencia e Mbikëqyrjes Policore thotë se po verifikon nëse ka pasur rrjedhje informacioni, gjatë operacionit të zhvilluar nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Policia e Shtetit, pas dyshimeve për rrjedhje informacioni.
Në njoftim theksohet se do të hetohet me seriozitetin maksimal çdo dyshim për rrjedhje të mundshme të informacionit nga punonjës të policisë, si edhe çdo përfshirje nëse ka, në aktivitete të paligjshme.
Njoftimi i plotë:
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) po verifikon çdo dyshim nëse ka patur rrjedhje informacioni, gjatë operacionit të zhvilluar nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Policia e Shtetit, në kuadër të procedimit penal nr.75/2022, përmes të cilit u caktuan dhe ekzekutuan masat e sigurimit personal të karakterit shtrëngues “Arrest në burg” për 32 shtetas, mes tyre edhe një punonjës policie.
Në përfundim të këtij operacioni, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore siguron opinionin publik dhe mediat se do të hetojë me seriozitetin maksimal çdo dyshim për rrjedhje të mundshme të informacionit nga punonjës të policisë, si edhe çdo përfshirje nëse ka, në aktivitete të paligjshme.
AMP mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 9090.
Arrestimi nga Policia e Elbasanit i Nuredin Dumanit ishte fillimi i një operacioni me 32 urdhër arreste në finalizim të të cilit emrat më të njohur të botës së krimit si Talo Çela, Ervis Martini e Suel Çela nuk u vunë në pranga. Dyshimet për dekonspirim e tejkalojnë policinë lokale e cila tani ka sfidën të rivendosë zbatimin e ligjit në Elbasan.
Top Channel