Një tjetër autobus me targa Kosovë që udhëtonte jashtë kufijve është aksidentuar, duke shkaktuar plagosjen e 20 personave tre prej të cilëve janënë gjendje të rëndë.

Ngjarja ndodhi  në një autostradë pranë Eugendorfit në Austri. Sipas fotografive të publikuara nga mediat austriake, autobusi i aksidentuar i përkiste kompanisë Armend Tours. Nga kompania vetë nuk ka ende asnjë reagim. Kryqi i Kuq dhe ekipet e zjarrfikësve kanë dalë me shpejtësi në zonë fill pas aksidentit. Zëdhënësja e tij, Roberta Thanner pohoi se kanë informacione për tre persona në gjendje kritike, ndërsa 16 të tjerë janë plagosur lehtë”. Deri më tani, shtoi ajo, nuk kemi raporte për viktima.

Aksidenti ndodhi rreth orës 03:00 në një autostradë nga Salzburgu në drejtim të Vjenës. Mjeti me rreth 28 pasagjerë, me gjasë është përplasur në mbrojtësen prej betoni të autostradës, por shkaqet e aksidentit ende janë të paqarta, tha zëdhënësi i policisë, Hans Wolfgruber. Sipas Wolfgruber, dyshimet e para janë se shoferin e ka zënë gjumi, por po shikohet dhe mundwsia e ndonjw difekti teknik.

Të gjithë të lënduarit janë dërguar në spitalin shtetëror në Salzburg. Wolfgruber tha se autobusi po udhëtonte nga Kosova për në Hanover. Vendi ku ka ndodhur aksidenti është mbyllur për trafik dhe autobusi gjendet ende aty.

Korrikun vitit të kaluar, një autobus nga Kosova u aksidentua në Kroaci, ku për pasojë mbetën të vdekur 10 persona e u lënduan mbi 30 të tjerë. Në bordin e tij kishte emigrantë që udhëtonin nga Frankfurti për në Prishtinë.

Top Channel