Specialja në Hagë sot shpall vendimin për Gucatin dhe Haradinajn

18/05/2022 08:26

Dhomat e Specializuara në Hagë do të shpallin sot vendimin për dy drejtuesit e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj.

Seanca, ku do të shpallet vendimi, është parashikuar të nisë në ora 10:00.

Gucati dhe Haradinaj akuzohen nga Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) për vepra penale penale kundër administrimit të drejtësisë, përkatësisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje si dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Nëse gjenden fajtorë për veprat që rëndojnë ndaj tyre, ZPS-ja ka kërkuar që ata të dënohen me gjashtë vjet burgim dhe gjobë prej 100 eurosh për gjithsecili

Gucati dhe Haradinaj u arrestuan në shtator të vitit 2020, pas dyshimeve se në disa konferenca për media në selinë e OVL-UÇK në Prishtinë kanë shpërndarë dokumente të klasifikuara të Dhomave të Specializuara, që njihen edhe si Gjykata Speciale.

Në aktakuzë thuhet se këto dokumente, kopje të të cilave u janë shpërndarë gazetarëve, kanë pasur edhe emra të dëshmitarëve potencialë, të cilët mund të dëshmonin kundër ish-krerëve të UÇK-së, përfshirë edhe në rastin kundër ish-presidentit, Hashim Thaçi, ish-kryetarëve të Kuvendit, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, të cilët akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Top Channel