Greqia kërkon superavionët/ Kërkesë SHBA për të blerë avionët F35

17/05/2022 15:21

Greqia ka shprehur interes për blerjen  e një skuadrilje prej 18-24 avionësh ushtarakë amerikanë të gjeneratës së 5të , F-35 ,i ka deklaruar presidentit amerikan kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis gjatë vizitës zyrtare që po zhvillon në Uashington.

Takimi në Shtëpinë e Bardhë ka filluar me një shaka se si është i njohur Joe Biden në gjirin e diasporës greke në SHBA ,por edhe për kravatën me flamurin grek që ai kishe veshur, ndërsa ka vazhduar me komente të shkurta për situatën politike,   ku ranë dakord se ende duhet bërë shumë për shkak të luftës në Ukrainë.

 “Ne kemi shumë për të diskutuar sot, mbështetjen tonë të vazhdueshme për Ukrainën, thellimin e partneriteteve tona të mbrojtjes dhe tregtisë, sigurinë energjetike, ndryshimet klimatike dhe shumë më tepër. Sot miqësia dhe partneriteti midis vendeve tona, midis grekëve dhe amerikanëve mendoj se është më i rëndësishëm se kurrë”, tha Biden.

 “Nuk po flas vetëm për komponentin e mbrojtjes së marrëdhënieve, por po flas gjithashtu për rolin e rezervës së investimeve tregtare, si një partner i besueshëm në Mesdheun lindor, si një vend që kapërceu krizën financiare me një ekonomi në lulëzim dhe si një shtyllë stabiliteti si në Ballkan ashtu edhe më gjerë në rajon”, tha Kyriakos Mitsotakis, kryeministri i Greqisë.

 Mitsotakis i shoqëruar edhe nga disa ministra të kabinetit, mes tyre ai i Jashtëm dhe i Mbrojtjes, i ka parashtruar presidentit Biden të gjitha sfidat që po përballon vendi për shkak të krizës energjetike duke shprehur dëshirën për bashkëpunim. Por gjithashtu e ka informuar për tensionet me Turqinë duke i paraqitur edhe një hartë me të ashtuquajturin “Atdheu Blu” sipas të cilës Turqia pretendon gjysmën e detit Egje, përfshirë shumë ishuj greke.

Më pas gjatë pritjes që Presidenti amerikan Biden dhe Zonja e Parë organizuan në Shtëpinë e Bardhë për nder të tij dhe bashkëshortes së tij, Mitsotakis i është referuar edhe njëherë lidhjeve historike me SHBA , por edhe marrëveshjes së bashkëpunimit për mbrojtjen me Shtetet e Bashkuara që miratoi javën e kaluar parlamenti i Greqisë, sipas së cilës është lejuar prania e forcave amerikane edhe në katër zona të tjera ushtarake të vendit , dy kampe të ushtrisë në Greqinë qendrore dhe veriore dhe një bazë detare në ishullin e Kretës.

Me fjalimin para kongresit amerikan Mistotakis bëhet kryeministri i parë grek që i drejtohet legjislativit prej dy trupave të ligjvënësve të qeverisë federale të SHBA.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA