Shteteve të Ballkanit Perëndimor, të cilat kanë harmonizuar plotësisht politikat e tyre ndaj Rusisë me politikat e Bashkimit Evropian (BE), do t’iu ofrohet angazhim i zgjeruar politik me bllokun evropian.
Po ashtu, këto shtete pritet të ftohen më shpesh në takime të nivelit të lartë të BE-së.
Një dokument pune i diskutuar nga ministrat e jashtëm të BE-së gjatë 16 majit, tha se përfaqësuesit e Shqipërisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut mund të ftohen të marrin pjesë në takimet e zgjedhura të Këshillit të BE-së dhe organeve përgatitore të politikës së jashtme.
Kryediplomatët evropianë në takimin e rregullt të mbajtur të hënën diskutuan për situatën në Ballkanin Perëndimor, në kohën kur agresioni i Rusisë kundër Ukrainës po vazhdon. Kolegët e tyre nga vendet e rajonit iu bashkuan ministrave evropianë në një debat joformal.
BE-ja i bën presion Serbisë për sanksionet kundër Rusisë
Sipas burimeve nga takimi, disa ministra të Jashtëm të vendeve anëtare të BE-së kanë paralajmëruar se është e nevojshme që Serbia të vendosë sanksione ndaj Rusisë, sikurse vendet e tjera të rajonit.
Përpara takimit, ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, përsëriti rëndësinë e mbështetjes së BE-së për sanksionet nga të gjithë partnerët në Ballkanin Perëndimor, “jo vetëm në aspektin e vlerave të përbashkëta, por edhe në çështjet me rëndësi strategjike”.
Një dokument që ishte objekt diskutimi midis ministrave të BE-së dhe në të cilin Radio Evropa e Lirë ka qasje, sugjeron se Serbia pritet të vendosë për zgjedhjen e saj strategjike.
“Serbia pritet të mos lërë asnjë dyshim në zgjedhjen e saj strategjike për integrimin evropian dhe përkushtimin ndaj vlerave të BE-së në mënyrë që të përparojë në rrugën drejt anëtarësimit në BE. Nevojitet një angazhim i plotë për reformat e përshpejtuara në lidhje me BE-në, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit. Serbia është çelësi për stabilitetin dhe sigurinë në rajon”, thuhet në dokument.
Se ministra të ndryshëm i bënin presion Serbisë për të vendosur sanksione ndaj Rusisë u pranua edhe nga ministri i jashtëm serb Nikolla Sellakoviq, i cili konfirmoi në fund të takimit se disa vende “e kishin bërë të ditur në mënyrë eksplicite” se nga Beogradi pritet të respektojë politikën e BE-së kundër Rusisë.
Sellakovic, por edhe burime të tjera nga takimi konfirmuan se vetëm Hungaria e ka mbështetur Serbinë dhe qëndrimin e saj lidhur me pasojat pas sanksioneve të mundshme.
Në BE thonë se mirëpresin faktin se Kosova në tërësi ka mbështetur qëndrimet e Perëndimit për luftën në Ukrainë, edhe pse formalisht nga ajo nuk kërkohet një gjë e tillë.
Siç ishte paralajmëruar më herët, në takim është diskutuar edhe për dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuar nga blloku evropian.
Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, ka nisur në vitin 2011.
Palët kanë arritur dhjetëra marrëveshje, por shumica e tyre nuk kanë gjetur zbatim në terren.
Më 14 maj, ministrat e Jashtëm të grupit të shtatë shteteve më të industrializuara në botë (G7) u kanë bërë thirrje dy vendeve që të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialog dhe të arrijnë marrëveshje për normalizimin e raporteve.
Po ashtu, sa i përket Kosovës, burimet thanë se liberalizimi i vizave duhet të ndodhë sa më shpejt./REL
Top Channel