Pas gati një muaji që kur ka filluar procesi, gjykata e Athinës ka shpallur në mënyrë unanime se piloti grek, Babis Anagnostopoulos, është fajtor për vrasje me paramendim të gruas së tij Caroline Crouch, 20 vjeç, një vit më parë në shtëpinë e tij në periferi të kryeqytetit.

7 gjyqtarët dhe juristët konkluduan se piloti 34-vjeçar dënohet me burgim të përjetshëm për vrasje me paramendim dhe 11 vjet e gjashtë muaj për keqtrajtim të kafshëve dhe shkeljen e ligjit për deponime të rreme të vazhdueshme si edhe një gjobë prej 21 mijë eurosh.

Gjykata nuk ka marrë parasysh asnjë rrethanë lehtësuese dhe hodhi poshtë njëzëri përpjekjen e tij për ta paraqitur vrasjen si “krim pasioni” në gjendje zemërimi pas një sherri që i kishte “turbulluar” shqisat, fakt që mund të kishte rezultuar në një dënim të reduktuar.

Prokurorja e çështjes ka theksuar se të gjitha faktet tregojnë se vrasja ishte gjakftohtë dhe e planifikuar. 34 vjeçari pasi e ka vënë fëmijën e tyre vetëm 11 muajshe në gjumë, e ka mbytur gruan e tij me jastëk, ndërsa ajo ​flinte ,duke qëndruar madje shtrirë mbi të ,deri sa ka dhënë shpirt dhe më pas ka filluar të zbatojë planin e pafajësisë.

Në fillim ka sjellë foshnjën pranë saj, ka varur qenin e familjes tek gardhi jashtë ,duke inskenuar edhe një sërë hollësish deri tek telefonata në polici e më pas ka pohuar tek policët se hajdutët e armatosur hynë në shtëpi​ ​gjatë natës, duke e lidhur dhe duke i zënë gojën atij dhe gruas së tij në dhomën e gjumit, ndërsa vajza e tyre flinte.

Pas 37 ditësh​ nga tragjedia​ hetuesit duke parë analizat e të dhënave nga një orë inteligjente e viktimës dhe me procedura speciale kanë zbuluar mospërputhje në rrëfimin e ngjarjeve, deri sa e kanë arrestuar dhe ai ka pranuar vrasjen. Anagnostopoulos është cilësuar nga avokati i familjes së viktimës si “një aktor me shumë talent” që mendonte se kishte kryer “krimin e përsosur” për të cilin mbeti paturpësisht i papenduar.

Top Channel