Ulet pritshmëria ekonomike/ Raporti i Komisionit Evropian: Qeveria të shkurtojë shpenzimet publike

16/05/2022 19:42

Komisioni Europian ka ulur pritshmëritë për rritjen ekonomike të Shqipërisë në 2.7%, nga 3.7% që kishte parashikuar më herët në raportin e nëntorit.

Rishikimi për ngadalësimin e ekonomisë lidhet me ndikimin e luftës edhe në vendin tonë, që ka sjellë një rritje të fortë të çmimeve, veçanërisht të ushqimeve, karburanteve dhe energjisë.

Kjo thekson Komisioni Europian ka shtuar pasiguritë dhe pritet të frenojë konsumin dhe investimet private, ndërsa qeveria rrezikon të ngarkohet me një nivel të lartë të borxhit publik për shkak të kostove të rritura nga importi i energjisë elektrike dhe subvecnionimit të faturave të energjisë.

Në kushte të tilla, presioni për arkën e shtetit do të rritet theksohet në raport dhe qeveria do të detyrohet që të shkurtojë shpenzimet publike.

“Kostoja e lartë e subvencioneve dhe rritja e mbështetjes sociale që pritet për vitin 2022 do të vonojë uljen e deficitit buxhetor në 2.7% të Prodhimit të Brendshëm Bruto deri në vitin 2023, kur raporti i borxhit publik parashikohet të ulet në 70.9 %.”

Ndërsa inflacioni që aktualisht ka prekur normën  më të lartë në 20 vjet , sipas raportit të Komisionit Europian do të qëndrojë mbi objektivin e bankës qendrore prej 3% dhe do të luhatet këtë vit rreth 5% për t’u ulur gradualisht vitin e ardhshëm.

Ndërsa për vitin 2023, Komisioni Europian parashikon një zgjerim të ekonomisë me 3.1%,  edhe ky vlerësim me tkurrje krahasuar me raportin e mëparshëm të institucionit.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA