Josa prezantohet te Vllaznia: Rikthimi në Shkodër është gjithmonë kënaqësi, duam Kupën dhe Europën

16/05/2022 14:23

Mirel Josa u rikthye në Shkodër si trajner, për të marrë vendin e Elvis Plorit për tre ndeshjet e fundit të kampionatit, pro edhe sezonin e ri, teksa paraditen e sotme bëri edhe prezantimin zyrtar në krye të stolit kuqeblu.

Trajneri kryeqytetas ulet për herë të tretë në karrierën e tij në stolin e Vllaznisë, këtë herë me misionin për t’u dhënë kuqebluve Kupën e Shqipërisë, në finalen ndaj Laçit, skuadër të cilën e drejtoi deri para pak javësh.

Në fjalët e para, Josa deklaroi se është rikthyer me kënaqësi në Shkodër dhe se do të takojë lojtarët për të nisur sa më shpejt punën për përgatitjen e sprintit final të sezonit, me Vllazninë që do të synojë një vend në zonën europiane.

“Nuk e prisja një ftesë në këto momente, por e kam marrë me shumë dëshirë, pavarësisht se jemi vetëm tre ndeshje larg fundit të sezonit. Më pëlqeu mënyra si u sollën drejtuesit me mua, por në të njëjtën kohë më pëlqen edhe Shkodra si qytet.

Unë personalisht jam rikthyer gjithmonë në Shkodër, edhe si kundërshtar dhe e kam ndjerë ngrohtësinë e publikut shkodran, falë dy periudhave që kam drejtuar Vllazninë.

Nuk ka trajner që vjen për tre ndeshje, por kemi një projekt afatgjatë me drejtuesit dhe shpresoj që gjërat të na shkojnë mirë. Nuk dua të flas për ndeshjet, pasi akoma nuk kam takuar skuadrën. Në ditët e ardhshme do t’i shtjellojmë të gjitha.

Unë Laçin e gjeta të ndërtuar, por kam punuar për atë skuadër. Tani më duket interesant fakti që tani jam këtu dhe do të përballem me ta në finale. Do të bëjmë maksimumin për të arritur gjendjen më të mirë me lojtarët që kemi dhe të sigurojmë Europën”, tha Josa.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA