Dështon zgjedhja e Presidentit, në raundin e parë nuk u paraqit asnjë kandidat

16/05/2022 19:31

Katër grupet parlamentare ai i shumicës socialiste dhe tre nga opozita dështuan ti çojnë parlamentit një kandidat për president. Raundi i parë i votimit në kuvendin e Shqipërisë, megjithëse u zhvillua pa pasur kandidatë quhet i ezauruar e i hap rrugën katër raundeve të tjera.

“Raundi i parë konsiderohet i mbyllur raundi tjetër caktohet nga konferenca e kryetarëve” –tha Nikolla.

Neni 87 i kushtetutës parashikon se në seancën për zgjedhjen e presidentit nuk ka debat, kjo me sa duket nuk dihej nga deputeti Edmond Spaho i cili kërkoi fjalën. Por kryetarja e parlamentit Lindita Nikolla e ndërpreu seancën. Kryeministri Edi Rama nga oborri parlament tha se nuk ka asnjë nxitimin për mos ti pritur propozimet e opozitës për raundet dy dhe tre që kërkojnë 84 vota të cilat PS nuk i ka.

Edhe Kryetari grupit parlamentar të PD Enkelejd Alibeaj flet për pritje. Jo pritje emrash nga PS por për standardet e procesit.

 “Jemi në pritje, fatkeqësi që raundi i parë u mbyll pa asnjë emër. Propozimi duhet të jetë i Opozitës për shumë arsye. Kemi kërkuar në mënyrë të logjikshme që propozimin ta kemi ne pa përjashtuar palët e tjera. Gjithsesi ky proces i propozuar nga ne është i hapur për diskutime. Gjithmonë me idenë e të zgjedhurit një proces të pranuar. Legjitimiteti i tij qëndron pikërisht në faktin se sa pranueshmëri do të ketë. Jo, nuk kemi emër, nuk duhet të jetë një proces i tillë, ka një emër, nuk jemi për procesin më jep një arush fotograf të të jap një me lesh.”– tha Alibeaj.

Kushtetuta e ka parashikuar momentin kur palët nuk arrijnë konsensus për zgjedhjen e presidentit. Nëse në tre raundet e para ku kërkohen mbi 84 vota, nuk ka një emër konsensual, raundi i katërt dhe pestë i votimit parashikon zgjedhjen e presidentit me shumicë të thjeshtë, 71 vota të cilat socialistët i kanë.

Top Channel