Punimet për restaurimin e kullës në Kalanë e Prezës, që u dëmtua nga tërmeti i vitit 2019, kanë përfunduar.  Pas një pune dy vjeçare me mbështetjen financiare të Fondit të Ambasadorëve të SHBA për ruajtjen e trashëgimisë kulturore, kolonat e gurit dhe muratura u rindërtuan duke përdorur gurët origjinal që ishin rrëzuar gjatë tërmetit.

Gjatë ceremonisë së përurimit, ambasadorja Yuri Kim tha duhet të mësojmë nga e shkuara dhe të bëjmë para drejtë së ardhmes.

“Është e mrekullueshme kur shoh një vend të tillë, dhe mund të duket sikur bëhet fjalë thjesht për një tokë të mrekullueshme në Shqipëri, që është toka e Skënderbeut dhe sikurse të gjithë ju e dini unë jam një admiruese shumë e madhe e tij. Është toka e Skënderbeut, por më së shumti është toka e  fëmijëve tanë, është toka e fëmijëve tuaj për këtë arsye jemi shumë të kënaqur që jemi këtu së bashku me të ardhmen, për të marrë mësimet më të mira nga e kaluara dhe të vazhdojmë të ecim përpara, njëjtë si kjo kala. Nëse diçka shkatërrohet, mund ta rindërtoni dhe ta bëni sërish të fortë. Shtetet e Bashkuara do jenë me ju në çdo hap, do ju ndihmojnë të ndërtoni gurë me gurë, hap pas hapi”, tha Yuri Kim.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti bëri thirrje ndërgjegjësimi për ruajtjen e vlerave shqiptare.

“Do ngeli vlera që lidh monumentin me komunitetin, ka qenë një punë e gjatë, dy vjet pune. Ndoshta ky do të ishte një ndërgjegjësim për të gjithë ne se sa e lehtë mund të jetë të shkatërrosh identitetin tënd dhe sa e vështirë është ta rivendosesh në vend atë”, tha Elva Margariti.

Kalaja e Prezës është një atraksion turistik me vlera kulturore e historike  që vizitohet nga shumë të huaj gjatë qëndrimit në vendin tonë, nga ku ofrohet dhe një pamje plot gjelbërim.

 

 

 

 

 

 

 

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA