Studentja vritet me gurë, digjet nga turma në Nigeri pas postimit të blasfemisë për profetin musliman (fotot)

14/05/2022 16:08

Një nxënëse raportohet se është vrarë barbarisht nga turma në veri të Nigerisë, pas dërgimit të një mesazhi që u konsiderua si blasfemi ndaj profetit musliman Muhamed.

Turma e nevrikosur raportohet se kishte nxjerrë me forcë Deborah Yakubu nga dhoma ku po fshihej në shkollën Shehu Shagari në Sokoto, në veriperëndim të Nigerisë, për të kryer vrasjen e tmerrshme, sipas policisë.

Disa ditë më herët, Deborah e cila raportohet se ishte kristiane, kishte lënë një mesazh zëri në grupin e klasës në Whatsapp duke u ankuar se kishte shumë mesazhe fetare në programin akademik.

Një kolege e saj studente ishte përgjigjur duke thënë se Deborah sapo “kishte bërë basfemi”, dhe incidenti nisi të qarkullonte mes  komunitetit të nxënësve.

Rrjedhimisht një turmë e nevrikosur u formua për të gjetur Deborah, e cila ishte fshehur në dhomën e sigurisë së shkollës, nën mbrojtjen e rojeve. Por për fat të keq ata nuk arritën ta mbronin.

“Nxënësit e mbledhur e nxorrën atë forcërisht nga dhoma e sigurisë ku po e mbanin zyrtarët. Ata e vranë, e dogjën dhe më pas i vunë zjarrin ndërtesës”, tha zëdhënësi i policisë Sanusi Abubakar.

Deri tani për ngjarjen janë bërë dy arrestime, pas publikimit të një videoje ku ata celebrojnë me zjarrvënëse.

Vdekja ka shkaktuar zemërim të gjerë në vendin afrikan duke shtuar ndarjen mes linjave fetare dhe etnike, që shfrytëzohet nga sunduesit dhe grupet militante.

Vrasja e Deborah Yakubu nuk është e para për motive të perceptuara blasfemie nga turmat në veri të Nigerisë.

Christianah Oluwasesin, mësuese në rajonin nigerian Gombe u vra në vitin 2007 kur ndaloi një nxenës po hynte në shkollë me disa libra dhe ia mori për t’ia flakur jashtë.

Studenti tha më pas se një prej librave ishte Kurani musliman prandaj një trumë u krijua që  e rrahu dhe e qëlloi për vdekje me thikë.

Deputeti i opozitës Atiku Abubakar dënoi vrasjen e Deborah por më pas anulloi postimin pasi shumë zgjedhës muslimanë u zotuan se nuk do të votonin më për të.

FOTO GALERI
1/4
Një nxënëse raportohet se është vrarë barbarisht nga turma në veri të Nigerisë, pas dërgimit të një mesazhi që u konsiderua si blasfemi

Top Channel