Ndërsa sot refuzoi të ulet në tryezë me kreun e grupit parlamentar të PS, Taulant Balla dhe përfaqësuesit e tjerë të maxhorancës, Enkelejd Alibeaj ka informuar përmes një shkresë qëndrimin e grupit parlamentar të PD për presidentin.

Në vlerësimin tonë, Presidenti i Republikës, i cili sipas nenit 86 të Kushtetutës përfaqëson unitetin e popullit, duhet të zgjidhet në një proces gjithëpërfshirës, konsensual midis shumicës dhe pakicës parlamentare, transparent luajal ndaj Kushtetutës dhe interesave të qytetarëve. Paraqitja e këtij qëndrimi është një dëshmi e vullnetit tonë të mirë, për një proces i cili t’u japë shqiptarëve një figurë presidenciale dinjitoze, në lartësinë e detyrës kushtetuese dhe me legjitimitet të plotë.

Megjithatë dokumenti bashkëlidhur kësaj shkrese nuk ka si qëllim ngurtësimin e një procesi që favorizon opozitën, por synon gjithëpërfshirjen. Për këtë arsye, ky propozim është i hapur për diskutime, përmirësime apo propozime shtesë nga të gjitha grupet parlamentare me synimin e vetëm të ndërtimit të një procesi transparent dhe që prodhon produkt të gjithpranuar” shkruhet në shkresën e Alibeajt.

Krahas Taulant Ballës, shkresa e Alibeaj i është drejtuar edhe Fatmir Mediut dhe Mesila Dodës në cilësinë e kryetarëve të grupeve parlamentare të opozitës që po negiociojnë në procesin e zgjedhjes së presidentit të Republikës.

 

Top Channel