Presidenti, ende nuk ka emër/ Nisin takimet mes grupeve parlamentare! Alibeaj refuzon por dërgon letër

13/05/2022 15:03

Trojka e negociatorëve socialist nuk ka mundur ta shkri akullin brenda kampit opozitar, në marrjen e propozimeve të kandidatëve për president.

Në kushtet kur raundi i parë i votimit për kreun e ri të shtetit është caktuar e ora 17:00 e të hënës, po shkohet pa një emër konkret.

Socialistët takimet e sotme me dy nga tre kryetarët e grupeve parlamentare të opozitës i vlerësuan frytdhënëse paçka se në tryezën e dialogut nuk pati asnjë emër.

“Kemi arritur të vendosim në shina një proces që do të na çojë drejt një presidenti sa më konsensual. Ne nuk duam ta vrasim procesin, do të ishte kundërshti e asaj që do të flasim, në orët në vijim do të ulemi edhe për emrin”,tha Balla.

Kryetari grupit parlamentar të PD Enkelejd Alibeaj qëndrimet e grupit ia dërgoi me shkrim homologëve Balla, Mediu dhe Doda  duke ngulmuar të merren në konsideratë 6 kriteret e listuara në emër të PD.

Ky qëndrim i Alibeajt është kundërshtuar nga deputeti demokrat Ervin Salianji.

Grupi parlamentar i Partisë Demokratike nuk ka një vendim të dakortësuar për kriteret apo mënyrën se si duhet të zhvillohet proçesi i negociatave.  I takon Partisë Demokratike dhe grupit të saj parlamentar të thërrasë në mbledhje të përbashkët gjithë deputetet opozitarë për të dakortësuar qëndrimin për kriteret por dhe personalitetet që mund të gjejnë konsensus të gjerë!”

Fatmir Mediu kryetar i grupit parlamentar  Aleanca per Ndryshim vijon të këmbëngul për një qëndrim të unifikuar të opozitës.

“Fillimisht duhet të gjejmë dakordësi me opozitën, pa dakordësi me opozitën nuk ka vlerë dakordësia me maxhorancën, do ishte thjesht një lojë politike”, tha Mediu.

Mesila Doda nga grupi parlamentar Demokraci dhe Integrim komentet nga takimi me trojkën socialiste ia la kryetarit të partisë së saj.

“Nuk kemi shumë kohë në dispozicion të flasim për emra…..”, tha Idrizi.

Top Channel