Pamje të rënda të dhunës së policisë në funeralin e gazetares së vrarë të Al Jazeera në Jeruzalem (video)

13/05/2022 17:51

Policia izraelite goditi me shkopinj gome sot pjesëmarrësit në funeralin e gazetares së vrarë të rrjetit Al Jazeera, Shireen Abu Aqla, vrasja e të cilës gjatë një operacioni të ushtrisë izraelite në Bregun Perëndimor, ka shkaktuar zemërim të thellë dhe përshkallëzim të dhunës.

Arkëmorti i gruas thuajse u rrëzua përtokë teksa policia me shkopinj gome sulmoi turmën e palestinezëve reth tij, duke thënë se reaguan pasi u goditën me gurë.

Abu Aqla u vra në rrethana të paqarta të mërkurën gjatë sulmit të ushtrisë Izraelite në një kamp refugjatësh palestinezë në Jenin, në skena të rënda të dënuara gjerësisht nga komuniteti ndërkombëtar.

Pamjet po ashtu trazuese të funeralit të sotëm, tregonin palestinezët që shoqëronin arkivolin e gazetares në impjantin spitalor, teksa shtyheshin e goditeshin nga policia izraelite.

Objekte shihej që lëshoheshin ndaj oficerëve, të cilët lëshuan gjithashtu gaz lotsjellës.

Në komentet e saj policia izraelite tha se oficerët përdorën “mjete të shpërndarjes së trazirave” pasi u goditën me gurë.

Ndërkohë në vijim të sulmeve të ushtrisë izraelite në Jenin, një oficer izraelit u vra nga militantët, gjatë operacionit të arrestimit të një të dyshuari, njoftoi ushtria.

Autoritetet palestineze thanë se gazetarja me origjinë vendase e rrjetit Al Jazeera u vra nga ushtria izraelite, ndërsa Izraeli thotë se kjo nuk është e mundur të përcaktohet pasi edhe nga pala palestineze po qëllohej.

Korrespondenti i rrjetit BBC në Jerusalem Tom Bateman tha se presioni po shtohet për një hetim transparent për vdekjen e Abu Aqla, pas raportimeve se plumbi që e vrau është rekuperuar nga autopsia por është i përdorur nga disa lloje armësh.

Shireen Abu Aqla, ishte një 51-vjeçare amerikano-palestineze që raportonte prej kohësh për Al Jazeera në lidhje me konfliktin Izrael-Palestinë.

Mbulimi i rrjetit Al Jaseera për konfliktin ishte kritikuar shpesh nga Izraeli si “i njëanshëm”.

Gazetares iu dha një funeral i veçantë në kompleksin e  presidentit palestinez Mahmoud Abbas ku gruaja u quajt “martire e fjalës së lirë” që “sakrifikoi jetën” për të mbrojtur kauzën palestineze.

Incidenti vjen në një kohë tensionesh të ashpra mes Izraelit dhe Palestinezëve prej gati dy muajsh me sulme e arrestime të shpeshta të ushtrisë izraelite në territoret  e pushtuara palestineze dhe akte vetëvraëse të palestinezëve në Izrael që kanë shkaktuar disa viktima.

Në pamjet video nga incidenti, Abu Akleh shihet me një jelek të dallueshëm blu ku shkruhet ‘PRESS.’

Gazetari Mujahed Al-Saadi, i cili shoqëronte Abu Akleh në mbulimin e aksionit në Jenin tha për agjencinë Reuters se ata ishin shënjestruar nga ushtria izraelite pasi kishin identifikuar veten si gazetarë.

“Kur u ktheva Shireen ishte përtokë ndërsa Shatha po mbrohej në një pemë duke ulëritur nga të  shtënat”, tha ai.

FOTO GALERI
1/11
Trupi i gazetares se Al Jazeera, Shireen Abu Akleh dhe kolegia e saj Shatha Hanaysheh (djathtas)

Top Channel