Gjigandi shtetëror rus i energjisë Gazprom, ka bërë me dije se do të ndalojë dërgesat e gazit rus përmes tubacionit Yamal që kalon në Poloni, kjo pasi Kremlini vendosi një sërë sanksionesh në kompani të ndryshme.
Përfaqësuesi i Gazprom tha se sanksionet përfshijnë EuRoPol Gaz, e cila zotëron seksionin polak të tubacionit të gazit Yamal-Evropë.
“Është vendosur një ndalim për transaksionet dhe pagesat në favor të personave nën sanksione, veçanërisht për Gazprom, kjo do të thotë një ndalim i përdorimit të një gazsjellësi në pronësi të EuRoPol Gaz për të transportuar gazin rus përmes Polonisë,” tha një përfaqësues i Gazprom. .
Është tensioni i fundit për gazin mes Rusisë dhe Polonisë. Muajin e kaluar, Gazprom tha se kishte ndërprerë plotësisht furnizimet për kompaninë polake të gazit PGNiG dhe Bulgargaz të Bullgarisë pasi ata refuzuan të plotësonin kërkesën e Moskës për të paguar në rubla dhe jo në euro ose dollarë.
Tubacioni Yamal kalon nga Rusia përmes Bjellorusisë dhe në Poloni dhe Gjermani. Ai përbën një pjesë të vogël të rrjedhave të gazit rus në Evropë dhe përdorimi i tij ka rënë ndjeshëm që nga fillimi i luftës.
Top Channel