Prokurori anti-mafia qëllohet për vdekje në muajin e mjaltit me gruan shtatzënë (fotot)

12/05/2022 16:18

Një prokuror paraguaian që kishte dënuar shumë gangsterë e trafikantë drogash është qëlluar dje për vdekje nga vrasës me pagesë teksa ishte në muajin e mjaltit me gruan e tij shtatzënë në Kolumbi.

Marcelo Pecci u vra në qytetin bregdetar të Cartagena, teksa ishte në plazh me gazetaren Claudia Aguilera ku kishin ardhur pas martesës së tyre në prill.

Disa orë më herët çifti postonte foto nga plazhi duke komentuar: “Dhurata më e bukur e martesës … jeta që do të vijë është dëshmi e dashurisë”.

45 vjeçari paraguajan Pecci, u qëllua nga dy burra pranë hotelit Decameron Baru. Bashkëshortja e tij e cila shpëtoi pa u lënduar, tha se sulmuesit u larguan me një motor uji pasi kishin qëlluar dy herë Marcelo, një herë në kokë e një herë në kurriz.

Presidenti paraguajan Mario Abdo Benitez dënoi vrasjen  ‘burracake’ dhe u zotua të ashpërsonte luftën kundër krimit të organizuar.

Duke folur dje për herë të parë pas krimit, zonja Aguilera tha: “Dita nisi e paqtë dhe ne shkuam në plazh pas mëngjesit”.

Më pas ajo citohej nga e përditshmja kolumbiane El Tiempo të kishte thënë: “Dy burra sulmuan Marcelo. Ata erdhën me një barkë të vogël ose motor uji më duket, nuk e pashë mirë”.

Duke treguar sesi vrasësit u larguan po nga deti ajo tha: “Ne na ndihmuan njerëz të tjerë që ishin në plazh por ai kishte vdekur. Nuk kishim marrë kërcënime më parë, çdo gjë ndodhi kaq shpejt”.

Gruaja tregonte se vrasësit kishin shkuar drejtpërdrejt te Marcelo, e kishin shikuar dhe pa thënë asgjë, e kishin qëlluar për vdekje”.

Pecci ishte duke hetuar krime të profilit të lartë në Paraguay, duke përfshirë dhe vrasjen e një trafikanti drogash dhe bashkëshorten e një futbollisti të njohur.

Paraguai është një nga prodhuesit më të mëdhenj të marijuanës në Amerikën Latine, e cila trafikohet kryesisht drejt Argjentinës.

FOTO GALERI
2/3
Marcelo Pecci u vra në qytetin bregdetar të Cartagena, teksa ishte në plazh me gazetaren Claudia Aguilera ku kishin ardhur pas martesës së tyre në prill.

Top Channel