Liderët e NATO-s janë të shqetësuar nga ideja se në Europë mund të ketë një luftë të zgjatur, e cila nuk mund të fitohet.
Konflikti në Ukrainë ka hyrë tashmë në muajin e tretë e pak shenja ka për një fitore vendimtare ushtarake nga secila nga palët, ndërsa një zgjidhje diplomatike nuk duket gjëkundi në horizont. Frika kryesore tani është se Ukraina mund të mbetet një fushë beteje vdekjeprurëse në Europë dhe një burim paqëndrueshmërie kontinentale dhe globale për muajt, apo edhe vitet në vazhdim.
Shqetësimet më urgjente janë ato të sigurisë energjitike dhe asaj ushqimore, por mbështetja masive perëndimore për Ukrainën, ndërkohë që bota ende nuk ka dalë nga pasojat e pandemisë së koronavirusit dhe përballet me efektet e ndryshimeve klimatike, mund të dobësojë edhe më tej ekonominë globale. Nëse Rusia vendos ta përshkallëzojë konfliktin, rreziku i një lufte më të gjerë rritet, thone ekspertet.
Ata theksojnë se që Kievi të rezistojë, fluksi i furnizimeve nuk duhet të reshtë. Presidenti rus Vladimir Putin deri tani nuk ka sinjalizuar ndonjë gatishmëri për të intensifikuar agresionin as me mobilizim të përgjithshëm të trupave as me përdorim armësh jokonvencionale, por ndërkohë, nuk ka shfaqur ndonjë shenjë tërheqjeje.
As Presidenti Zelensky, i cili thotë se Ukraina jo vetëm që do ta mposhtë agresionin aktual rus, por do të rimarrë kontrollin e Krimesë dhe zonave të tjera që Rusia i ka pushtuar ose kontrolluar që nga viti 2014, nuk ka dhënë shenja zbrapsjeje, ndërsa në këtë pikë, duhet shumë e vështirë të imagjinohet një zgjidhje e negociuar e situatës.
Top Channel