Debatet në kuvend/ Rama: Srebrenica nuk mund të jetë letër për bojën e katranit të Shqipërisë!

12/05/2022 18:36

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas rrëzimit të rezolutës për masakrën e Srebrenicës e kërkuar nga Sali Berisha dhe një grup deputetësh mbështetës të tij.

Me një gjuhë të ashpër ai i është kundërpërgjigjur Berishës, se ajo nuk ishte rezolutë, por lojë e ulët nga ana e tij, një i shpallur ‘non grata’ nga SHBA si i korruptuar dhe minues i demokracisë.

Rama i ka kujtuar se ai njihet botërisht si thyerësi i embargos ndaj Sllobodan Millosheviçit.

Postimi i plotë i kryeministrit Edi Rama në Twitter:

Ata që hidhen përpjetë për gjoja dështimin e një rezolute mbi Srebrenicën në parlamentin shqiptar, si fillim duhet të pyesin po ç’ne kjo rezolutë sot,pse,me ç’rast?Pastaj duhet të informohen mbi tekstin në fjalë dhe në fund duhet ta mësojnë se ajo s’ishte rezolutë po lojë e ulët! Lojë e ulët e një të shpalluri nga SHBA si i korruptuar dhe minues i demokracise, që njihet botërisht edhe si thyerësi i embargos ndaj Sllobodan Millosheviçit dhe që kapet deri edhe pas kockave të viktimave të kasapit të Beogradit, për t’u ringjallur nga varri i tij politik! Keqardhje për ata që pa e pasur idenë fare të kësaj loje të ulët, ndjehet gabimisht të lënduar dhe neveri për ata që i shkojnë pas avazit të një të damkosuri si katran me bojë, po Srebrenica nuk mund të jetë letër për bojën e katranit të Shqipërisë!

Në një postim tjetër, Rama u shpreh se Parlamenti do të refuzojë çdo letër të dërguar nga Berisha.

“Edhe një fakt për t’u nënvizuar: Parlamenti sot nuk ka rrëzuar asnjë rezolutë për Srebrenicën, po thjesht ka refuzuar të fusë në procedurën trejavore parlamentare një dokument të ardhur nga Katrani, siç do të bëjë me çdo letër që do të ketë bojën e tij!”, shkruan Rama.

Ky reagim i Ramës vjen pasi deputetët socialistë votuan kundër një rezolute për dënimin e krimeve dhe genocidit serb në Srebrenicë, një iniciativë kjo e deputetëve mbështetës të Berishës.

Kaq ka mjaftuar që Sali Berisha përmes një fjale me ngjyra të forta nacionaliste të shpërthente në akuza ndaj shumicës socialiste.

Top Channel