“Është në panik të jashtëzakonshëm”, Berisha: Qëndrimet e Ramës për drejtësinë të denja për Korenë e Veriut

11/05/2022 12:40

Nga ‘kreu i Meduzës’, ish kryeministri Berisha sot përdori një tjetër etiketim për pasardhësin në godinën e qeverisë “kreu i organizatës kriminale të inceneratorëve”, për të cilin tha se është në panic të jashtëzakonshëm.

Deklaratat e Ramës ndaj drejtësisë, Berisha i konsideroi qëndrime të denja për Korenë e Veriut, apo regjimin e etërve të tij që sipas tij bëhen për të tërhequr vëmendjen e qytetarëve shqiptarë, që përditë përballen me rritje cmimesh.

“Prej disa javësh kreu i organizatës kriminale të inceneratorëve në një panik të jashtëzakonshëm merret me drejtësinë dhe kundërshtarët e tij politikë. Shkaqet janë madhore, Edi Rama beson se me këto qëndrime të cilat shëmbëllejnë apo janë të denja për Korenë e Veriut, apo regjimin e etërve të tij ka disa synime.

Më së pari, të tërheqë vëmendjen e qytetarëve shqiptarë, të cilët po përballen me vështirësi shumë të mëdha në jetën e përditshme për shkak të kësaj qeverie, e cila me firmë e vulë vjedh vjedh e vetëm vjedh. Krijon vetëm mekanizma vjedhje. Dje unë po kontrolloja të dhënat, rezultonte se nga 2014 deri më sot, indeksi i cmimit të ushqimeve është rritur 100%.

Unë ju jap një të dhënë, shumica e familjeve shqiptare, shpenzojnë mbi 50 % të të ardhurave vetëm për ushqime. Rritet cdo javë e cdo muaj në këtë vend, në një kohë kur kryeministri e ministrat e tij vijojnë të vjedhin e shpërdorojnë pronat publike.”- u shpreh Berisha.

Top Channel