40 miliardë dollarë ndihmë shtesë për Ukrainën është paketa e re e miratuar nga Dhoma e Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara, ku Kongresi po përpiqet të vazhdojë rrjedhën e ndihmave ushtarake dhe të forcojë qeverinë në Kiev, për t’u përballur me agresionin rus. Paketa tani pritet të kalojë për miratim në Senat.
“Populli ukrainas ka nevojë për ne, ata kanë nevojë për ndihmën tonë në mënyrë dëshpëruese”, tha Rosa DeLauro, kryetare e Komitetit për ndarje buxhetore në Dhomën e Përfaqësuesve.
“Vladimir Putin dhe bashkëpunëtorët e tij duhet të mbahen përgjegjës. Kjo masë e bën këtë duke mbrojtur demokracinë, duke kufizuar agresionin rus dhe duke forcuar sigurinë tonë kombëtare”, shtoi ajo.
Paketa synon t’i ofrojë ndihmë ushtrisë ukrainase dhe ekonomisë së këtij shteti, të ndihmojë aleatët rajonalë, por parashikon ndërkohë edhe 5 miliardë dollarë për të ndihmua në ngërçin e mungesave të furnizimit global me ushqime pas krizës së shkaktuar nga lufta.
Presidenti Biden i kishte bërë thirrje Kongresit që të veprojë shpejt në mënyrë që ai të mund të nënshkruajë ligjin përpara se ndihma ekzistuese e mbrojtjes për Ukrainën, të përfundojë më vonë gjatë këtij muaji.
Por ish-presidenti rus, Dimitry Medvedev, akuzoi Shtetet e Bashkuara se me këtë lëvizje i kanë shpallur “luftë përmes një shteti tjetër” Rusisë. Në një mesazh të postuar në kanalin e tij në Telegram, Medvedev tha se SHBA do të vuante më shumë nga kjo paketë dhe do të humbasë edhe ndikimin e saj në botë.
“Nuk do të funksionojë. Printimi i parave po rrit ndjeshëm inflacionin dhe borxhin e qeverisë amerikane, dhe do të thyhet shpejt”, tha Medvedev.
Që prej dorëheqjes nga posti i kryeministrit në vitin 2020, Medvedev shërben si nënkryetar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare në Rusi. Ai është aleat besnik i Presidentit Putin.
Disa republikanë e kundërshtuan projektligjin, duke kritikuar demokratët për lëvizjen shumë të shpejtë për të dërguar shumë dollarë të taksapaguesve amerikanë jashtë vendit. Projektligji do të ketë nevojë për votat e republikanëve për t’u miratuar në Senat.
Top Channel