Hashim Thaçi, u deklarua i pafajshëm për disa akuza të reja që kanë paraqitur Dhomat e Specializuara me seli në Hagë.

Ish presidenti i Kosovës tha se nuk i kishte kuptuar akuzat, pasi ka shumë të tilla. “Deklarohem i pafajshëm, megjithëse akuzat nuk i kam lexuar dhe nuk i kam kuptuar, por deklarohem i pafajshëm”, tha ai, teksa mori pjesë në seancë përmes video-lidhjes nga Qendra e Paraburgimit në Hagë.

Gjykatësi i procedurës paraprake, Nicolas Guillou, shpjegoi se Prokuroria e Specializuar ka paraqitur tre kategori ndryshimesh në aktakuzën ndaj Thaçit dhe ish-udhëheqësve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Akuzat e reja kanë të bëjnë për krime të pretenduara në dy qendra ndalimi në Suharekë dhe një qendër në Gjilan. “Kategoria e parë lidhej me dy qendra ndalimi në Komunën e Suharekës, ku anëtarët e UÇK-së kanë kryer krime të përndjekjes, burgosjes apo të ndalimit arbitrar, akte të tjera çnjerëzore, trajtim çnjerëzor, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë”, tha Giullou.

“Kategoria e dytë kishte të bënte me dy incidente të përndjekjes dhe vrasjes së paligjshme të kryera në një qendër ndalimi në Komunën e Gjilanit dhe modifikimin e kohës kur ka ndodhur kjo, shtoi ai. Po ashtu, Prokuroria e Specializuar ka përfshirë në akuzën e re, dyshimin për përfshirje të drejtpërdrejt në krime të Thaçit.

Gjatë seancën nuk u lexuan akuzat e reja, por gjyqtari tha se ato do të publikohen online. Pas tij, pritet që para Dhomave të Specializuara të paraqiten edhe Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, të cilët së bashku me Thaçin, kanë një aktakuzë të përbashkët për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Top Channel